Zbulohet fjalimi i rrallë dhe i fshehtë i Ramiz Alisë, në 13 Dhjetor të vitit 1990, në mbledhjen e Byrosë Politike, pikërisht një ditë pas themelimit të Partisë Demokratike dhe në një kohë kur muret e regjimit komunist në Shqipëri ishin plasaritur.
Ky fjalim hedh dritë mbi mjegullën dhe misterin që mbulon Lëvizjen Studentore, pasuar me themelimin e PD, rrëzimin e bustit të Enverit dhe kulmuar me rrëzimin e regjimit.
Në këtë mbledhje sekrete të Byrosë Politike, Ramiz Alia konfirmon atë që dyshojnë të gjithë prej 24 vitesh se, Sali Berisha ishte i besuari i Byrosë Politike dhe i dyshes Ramiz Alia-Nexhmije Hoxha për ndryshimin e sistemit.
Në këtë mbledhje zbulohet se Sali Berisha ishte porositur nga Ramiz Alia për të kritikuar regjimin komunist në gazeta.
Madje, kur Berisha ishte i frikësuar se mund ta arrestonin dhe se mund ta thërriste prokurori, Ramiz Alia e kishte thirrur në zyrë Berishën dhe e kishte qetësuar.
Në këtë mbledhje Ramiz Alia u tregon shokëve dhe anëtarëve të Byrosë Politike se partia kishte nevojë për pak kritike dhe këtë pune po e bënte Sali Berisha.
Ai zbulon edhe planin për futjen e Sali Berishën në politikë. Në fillim Ramiz Alia bën sikur mbron Enver Hoxhën dhe sikur është i tromaksur nga akuzat ndaj tij, ndërsa më pas zbulon rolin e Sali Berishën, ndërsa jep udhëzimet për zhvillimet politike dhe si të përballohen debatet politike.
Alia paralajmëron anëtarët për zhvillimet, por shpreh edhe shqetësimin se anëtarët e Byrosë Politike janë shumë të prapambetur dhe të paaftë për debate politike në raport për kundërshtarët e regjimit, që po formonin parti të reje.
Alia pohon se rreziku nuk do të vinte nga Partia Demokratike, duke nënkuptuar se e kishte nën kontroll, por nga partitë e tjera që do të lindnin.
Fjalimi i Ramiz Alisë në mbledhjen e 13 Dhjetorit 1990
Thuaj ti se Enver Hoxha këtë gjë e ka bërë keq. Por, të më flasësh ti për LANÇ, ku janë vrarë 28 mijë vetë, ku Enver Hoxha drejtonte luftën, ku luftonin 70 mijë vetë dhe ku vetëm tre mijë ishin komunistë, kjo prek jo vetëm ndjenjat e komunistëve, por edhe të rinisë. Domethënë, këtu kalohen kufijtë.
Të më thuash edhe fjalën më të vogël për patriotizmin e Enver Hoxhës, në kuptimin që, ai ishte njeriu që mbrojti lirinë e atdheut edhe në momentet më të rrezikshme për lirinë e popullit, ai doli në daç kundër Bashkimit Sovjetik, në daç kundër Traktatit të Varshavës, në daç kundër jugosllavëve dhe njerëzve të tjerë, këto nuk janë më çështje partiake, janë çështje të tjera.
Ti mundesh të kritikosh Enver Hoxhën, ta zëmë për politika arsimore. Nuk e ka bërë mirë. Dakord.
Thuaj ç’të duash. Nuk është sjellë mirë, për shembull, me çështjen e grave ose nuk është bërë mirë çështja e kolektivizimit. Mirë, dakord. Kritikoje. Nuk është bërë mirë proporcioni midis industrisë së lehtë dhe industrisë së rëndë. Dakord. Ke të drejtë ta kritikosh.
Por, ama të më thuash Enver-Hitler, ky është ofendim kombëtar. Nuk është fjala më për person. Nuk është kritikë kjo. Dhe ky është qëllimi kur bëhet fjalë për fyerje poshtëruese.
Kuptoni? Këta ia thashë edhe Sali Berishës; Po ti në artikullin që shkrove, ti e kritikove Enver Hoxhën mbarë e prapë.
Të thirri, prokurori për këtë? Jo, më tha. Po atëherë çfarë më thua për dekret, për çfarë më ankohesh, i thashë. Sepse prokurori nuk e pa të arsyeshme që të të thërrasë.
Ti nuk kishte fyerje dhe ofeza në shkrim. Por, unë me ty nuk jam hiç dakord për ato që ke shkruar.
Tashti, ju e dëgjuat mbrëmë atë mesazhin që thash unë. Desha të theksoj një gjë, një moment, që duhet të kuptoni ju të tërë që jeni dhe bashkë me neve e tërë partia, që është një moment i ri politik, që kalojmë nga ai stadi. Ka vendosur organizata bazë dhe kështu do bëhet.
Bile, ndoshta, mbaroi dhe ai stadi që mbledhjet e organizatave bazë bëhen haptazi.
Kupton tashti, mbledhjet e organizatave do bëhen të mbyllura, ose do ftosh, me të ftuar, dhe do dish kë do ftosh. Po ajo që është themelore në këtë stad të ri politik është që partia tashti duhet të luftojë për të mbrojtur idealet e veta.
Dhe komunisti të duket komunist. Është i bindur në idetë dhe idealet e partisë apo ka hyrë në parti për ndonjë arsye tjetër.
Tashti do të ndeshesh, do të hysh në debat për të mbrojtur vijën e partisë, për të çuar përpara idealet e partisë, sepse në kundërshtim me idetë dhe vijën e partisë po dalin forca të reja në skenë, që janë forca jo të partisë. Këtë duhet ta mbledhim top.
Nuk janë forca të revolucionit, edhe këtë duhet ta kemi të qartë. Këto forca, po të ishin forca të revolucionit, kishin vend ku të militonin për revolucion, për ide të partisë, por nuk janë dakord me vijën, me idetë, me rrugën e partisë. Prandaj, nxjerrim një alternativë tjetër.
Çfarë do jetë alternativa tjetër? Alternativa e tyre nuk mund të jetë komunizmi, se po të ishte komunizmi ne do kishim fenomenin që brenda në parti të kishim një fraksion, i cili nuk do ishte dakord të themi me ritmet, me tempet, me metodat, me rrugët e zgjidhjes së problemit, por me strategjinë politike do ishte dakord.
Të supozojmë që do të pranonim të ishin në parti fraksione, por jo, këtu nuk është fjala për fraksion, këtu është fjala për të krijuar një parti tjetër, e cila ka një program të caktuar që është një program i ndryshëm nga programi i partisë.
Kështu do ndeshen idetë. Këtë çështje duhet ta kemi kujdes, ta kemi parasysh ne se, po nuk kuptuam thelbin e këtij ndryshimi politik, nuk është e mundur të bëjmë luftën tonë si duhet.
Për shembull, shkruan shtypi jonë, se do të shkruajë shtypi jonë edhe për të meta e dobësi që ka puna e partisë.
Pse? Sensi autokritik ka qenë gjithmonë një nga parimet e partisë sonë, do të jetë dhe në të ardhmen, por do të ndryshoj pak mënyra.
Pse? Partia do të vihet në shënjestër nga forca të tjera ekstra partiake, domethënë nga këto forcat që po dalin, jo Partitë Demokratike që thash, kushedi se çfarë do të dalë ndonjë gjë tjetër. Kjo do të thotë që ne do na duhet të debatojmë, por fatkeqësia është që ne nuk jemi të përgatitur.
Unë prandaj u thash mbrëmë që nuk kemi as përvojën, bile nuk kemi as metodat juridike të nevojshme për këtë. Pse e them këtë? Po largohem një çik nga idea e parë, hap një parantezë të vogël.
Të krijojmë thonë ata të shtypshkronjave, sindikatën e pavarur, por shkojmë me mendjen se, mirë ja i krijove sindikatat e pavarura, po shkojnë me mendjen se tani që bëhemi ne sindikatë e pavarur mund të botojmë kë të duam.
Po kush të lë njëherë? Shtypshkronja është e shtetit, shteti ka ligje, shteti ka norma, që të thotë boto këtë dhe ti s’ke të drejtë të botosh asgjë në kundërshtim me atë që do të japë ndërmarrja e botimeve.
Deri dje ne kemi dhënë porosinë dhe kemi nxitur drejtorin ta zgjedhë kolektivi, tha si mund të dalë urdhër, jo, drejtori emërohet, se nuk mund t’i lihet forcave të ndryshme të zgjedhin kë duan. E kuptoni këtë? Ja kjo është përgatitja juridike e jona, që në kushte të tilla të luftës që hymë, nuk jemi më të përgatitur.
Ajo duhet ndryshuar në kuptimin që do jetë shteti juridik ai që duhet të veprojë, në kuptimin që unë nuk të lë asnjë forcë që të veprojë si të dojë, sepse edhe kur ne i thonim te bashkimet profesionale në shtypshkronjë, bashkimet profesionale nuk kishin të drejtë të botojnë këtë libër, apo të mos botojnë atë libër.
Bashkimet profesionale bënin nxitjen e punëtorëve që të realizojnë planin, detyrën etj., por plani i botimeve bëhesh nga dikush tjetër.
Nga kush? Nga Ministria apo nga komiteti i kulturës. Ai jepte planin e botimeve, shtëpia botuese jepte materialet e redaktuara, këta ishin të detyruar të botonin. E bëra këtë parantezë për të treguar që lufta politike ka një karakter krejt tjetër.
Domethënë, mënyra e trajtimit të problemeve është ndryshe, kësaj duhet t’i përshtatet puna e partisë.
Ajo metodë burokratike e drejtimit, s’pi ujë! Tani do të vihet në kandar rezultati i punës së partisë. Tani do të vihen në kandar, me të vërtetë rezultati i punës së partisë.
Dmth, partia i ka anëtarët e vet të bindur në idealet komuniste apo kemi në radhët tona njerëz të cilët nuk janë të bindur në idealet e tyre, njerëz që lëkunden nga këto ideale dhe aq më keq njerëz që i kundërvihen këtyre idealeve? Firo do ketë dhe mos u habitni! Duke vazhduar idenë e luftës politike…do vijë puna që lufta politike do të bëhet e rreptë.
E rreptë edhe në kuptimin sulmues, pra mund ta atakojnë partinë, siç thoshte njëri sot në gazetë “që ti sekretar, ti zoti ministër ke privilegjin…s’ka rëndësi hiç, rëndësi ka problemi.
Ai mund të thotë edhe ti shoku ke privilegjin. Ne si parti nuk do t’i marrim në mbrojtje privilegjet, përkundrazi as i kemi marrë dhe prapë nuk do t’i marrim, duhet t’i dënojmë ose më mirë t’i eliminojmë.
Por, unë do të them edhe tjetrën: Dakord, po kush po ma ngre këtë, po ma ngre ti filan që je rritur me pekule, që ke vajtur 10 herë për t’u specializuar, ty që të ka mbajtur përpara Enver Hoxha e të ka rritur duke të dhënë të gjitha të mirat që nuk i kishte ky popull? Ç’të drejtë morale ke të flasësh ti?! Nga ç’pozitë nisesh ti?! Kjo është pozitë destruktive, antipopullore, antikombëtare megjithëse ti thua se je për kombin.
Mos përmendëm ndonjë emër, e thashë kështu në përgjithësi. Për këto gjëra duhet të përgatitet mirë partia. Për këto gjëra duhet të jetë partia e aftë, që të dijë të mbrojë idealet e saj, rrugën e saj luftën e saj.
Po kërkojmë njëri pas tjetrit, njerëz të ndryshëm që të aderojnë në partinë e tyre. Unë isha tani te rinia, deri te sekretarët e rinisë. I ftojnë, do vish ti me partinë tonë?
Dhe sigurisht ata u përgjigjën drejt: Ne jemi anëtarë të një partie. S’ka pse të ndryshojnë parti. Po këtë po e bëjnë ke të gjithë, mbase ka edhe këtu…unë nuk e di. Mirë, mirë…as dua të. Po kërkojnë si priftin në kusi…
Tani çështja shtrohet pikërisht kjo: je komunist, je me këto ideale, që po lufton me këto ideale apo jo?! Por, në fund të fundit unë do pyes: po ku po shkon?! A e di ku po shkon?! Cili është ky program?! Po shkojmë se po mblidhet sindikata e pavarur në Kinostudio. Përse është kjo sindikatë?
Çfarë program ka? Përse po shkoni, për të parë nuse? Ç’bindje ke ti për atë që po bëhet? Kjo eksperiencë dhe kjo luftë politike ka munguar në veprimtarinë tonë.
Sepse në praktikë konsideronin që njerëzit çfarë u thonin bëheshin. Ja që realiteti s’paska qenë kështu. Realiteti është se puna e partisë ka qenë e sipërfaqshme.
Realiteti është se ka njerëz që nuk janë të bindur në idealet tona. Ka njerëz në radhët e partisë që nuk kanë qenë të bindur në idealet e partisë, që janë lëkundur në idealet e partisë. Se për çfarë arsye, mua nuk më intereson shumë.
Prandaj shokë, nuk është koha të mendoni nëpër zyra. Nuk është koha që komunistët të rrinë pasivë.
Është koha që komunistët të tregojnë veten, me të vërtetë janë luftëtarë të idealit të tyre. Të dimë të futemi në debat politik për të mbrojtur idetë tona, rrugën tonë, vijën tonë.
Synimi i armiqve, ku një nga armët që do të përdorin është të nxijnë socializmin. S’ka vezë në Pazar, s’ka qumësht në Pazar, socializmi ka falimentuar.
E ç’bëtë ju 45 vjet, hiç gjë. Ja një nga tezat e tyre. Të kujt? Të Zërit të Amerikës. Do të dimë ta mbrojmë ne luftën që kemi bërë? Do të dimë ta mbrojmë ne vijën që kemi ndjekur?
Do të dimë ne të mbrojmë sakrificat që ka bërë partia, populli komunistët, për ta bërë Shqipërinë kështu siç është? Në asnjë moment nuk mund të mbulojmë, të shuajmë ato fitore kolosale që ka arritur ky popull në udhëheqjen e partisë sonë dhe të shokut Enver.
Nuk ka synim konstruktiv të përmirësojë, të rregullojë, por ka synim të shkatërrojë, të diskreditojë. Kapet tek mungesat tona, te gabimet tona. Prandaj është dhe lufta politike e vështirë. Prandaj edhe ne do ta kemi të vështirë në këtë fushatë.
Të mos mendojmë se çdo gjë do të shkojë si në vaj, sepse nuk do të jetë ashtu. Do të na duhet të punojmë kokë më kokë, të shkojmë shtëpi më shtëpi dhe të bisedojmë njeri më njeri. Dhe jo t’i besojmë mitingjeve vetëm.
Sepse në mitingje ndodhin edhe ato gjëra, që sot flet me një gjuhë dhe nesër flet me një gjuhë tjetër. Sot del dhe thotë një gjë, nesër del dhe thotë diçka tjetër. Për këtë arsye shokë, duhet ta kuptojmë këtë moment politik dhe të bëjmë që partia të dijë t’i përgjigjet këtij momenti politik.
Ndonjë zgjidhje magjike nuk ka. Absolutisht jo. Zgjidhja e vetme politike është që partia të jetë parti e njerëzve të bashkuar, të idealit komunist. Të jetë parti militantësh, dhe jo burokratësh.
Të jetë parti e njerëzve që mbi çdo gjë të vënë interesat e partisë dhe popullit dhe jo interesat e tyre meskine, kolltukun e tyre apo privilegjet e tyre. Këtë kërkon koha sot.
Lufta me armiqtë është e rreptë, sepse është luftë me armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm. Ne duhet të dimë si duhet luftën e partisë, por do jetë një luftë nëpërmjet një debati të madh politik.
Nuk zgjidhet me forcë kjo luftë. Me këtë nuk dua të them që duhen lejuar huliganët. Absolutisht. Kundër huliganëve duhet të veprojë ligji. Edhe të veprojë me forcë.
Tjetër është huligani dhe tjetër është lufta politike. Luftën politike duhet ta zhvillojmë me mjete politike, në rrugën e debatit, argumentit, diskutimeve dhe bindjeve. Për këtë duhet të punojmë ne si parti.
Për këtë duhet të punojë koka e secilit prej nesh. Kurse organizmat shtetërore, le të forcojnë ligjin, rregullin. Kur ligjet thyhen, kur rregullat prishen, sipas ligjit në fuqi.
Nëqoftëse ka nevoja të reja, të bëhen rregulla të reja. Por, gjithnjë, sipas kompetencave që kanë organet shtetërore.
Ne këtu në Komitet Qendror, e kemi lehtë, në kuptimin që u takuam, biseduam, mund të takohemi sërish, dhe mos harroni që janë 26 rrethe. Probleme të tilla në ndonjë rreth kanë dalë, në ndonjë rreth tjetër nuk kanë dalë, por nuk është çudi të dalin.
Kanë dalë në Shkodër, në Kavajë, në Korçë, Gjirokastër, Vlorë. Mund të dalin në Sarandë, Elbasan. Nuk ka dyshim që do dalin.
Prandaj instruktorët të mos shkojnë me metodat e zakonshme, me bllokun e shënimeve në xhep. Më falni nëse nënvlerësoj punën tuaj, por fakt është që me bllok janë.
Nuk është punë blloqesh kjo. Është punë militantësh, organizatorësh, njerëzish të ditur që duhet të frymëzojnë, organizojnë njerëzit dhe të hidhen vetë në luftë bashkë me të tjerët dhe të japin shembullin e militantizmit.
Ja, këto gjëra doja t’i thoja para jush sot, duke pasur parasysh që momentet janë të tilla që precipitojnë nga ora në orë. Këto elementë që kanë marrë revansh, duket që janë të përgatitur për veprimet e tyre.
E keqja është që shoh një pasivitet të patolerueshëm nga ana e organizatorëve të partisë. Ikën qendra e punës e tëra dhe organizata e qendrës së partisë nuk ndihet fare.
Ngrihet kolektivi i shtypshkronjës dhe organizata e qendrës së partisë nuk është gjëkundi. Përkundrazi, solidarët dhe punëtorët që nuk shkëputen nga klasa punëtore, që nga drejtori komunist, dhe kujton se po bën punë komuniste.
Po këtu ka marri kolektive. Se thonë ata është lëvizje revolucionare: gomari fluturon. Si mo fluturon? Si është revolucionare, ku konsiston revolucioni?
Në kuptimin pozitiv të fjalës. Përse revolucionare për të përmbysur socializmin? Nuk e kanë thënë, por, përse nuk e kanë thënë? Nuk duket sheshit ajo?
Ato edhe mua nuk më thonë shoku Ramiz Alia, por presidenti Ramiz Alia. Nuk e dëgjoni këtë ju? Nuk ka domethënie kjo? Pra, çfarë revolucioni ka këtu? Kundërrevolucion po, por jo revolucion.
Prandaj ti komunist, ti drejtor, ti sekretar, je shkëputur që kur të ke ikur nga duart. Ti ke marrë fund. Ti s’kupton hiç. Ti ke qënë i shkëputur nga ata. Prandaj ti duhet të luftosh për idealin tënd, nëqoftëse ke ideal.
Nëse nuk ke ideal, në dreq shkofsh. Më mirë dorëzo dhe testerin e partisë se nuk na duhesh. Nëse ke frikë, prapë dorëzo testerin e partisë dhe thuaj, unë kam frikë. Ik largohu! Tutje.
Nuk na duhen frikacakët. Sepse ka dhe njerëz që nuk janë komunistë dhe janë të ndershëm. Më thanë për një dekan të Universitetit që vajtën e i thanë: Do futesh në partinë tonë? Jo, i tha ai, sepse unë nuk jam as në Partinë e Punës, por jam qytetar i Republikës dhe i shërbej socializmit.