Prapaskena

Denar Biba në krye të Konkurrencës, akt antimoral, mbështeti monopolin e miellit

Publikuar: 07/12/2021

Nga Adriatik Doçi

Projektimi i Denar Bibës në krye të Autoritetit të Konkurrencës është një tjetër akt antimoral dhe sfidë ndaj interesit publik, pas emërimit të Ilir Beqjas në krye të Donacioneve të Huaja.

Disa javë më parë, Denar Biba, si anëtar i Autoritetit të Konkurrencës, tradhtoi interesin publik, duke votuar kundër gjobitjes së 7 oligarkëve të miellit, të cilët në bazë të një hetimi disamujor të vetë Autoritetit, kishin arritur një pazar me njëri-tjetrin për fiksimin e çmimit të miellit, duke deformuar tregun dhe konkurrencën e lirë.

Vota e Bibës ishte vendimtare që oligarkia e miellit të mos ndëshkohej, për vjedhjen e konsumatorit.

Po të shtojmë edhe faktin se Denar Biba ishte protagonist i një shantazhi ndaj gjyqtarit shqiptar në Strasburg Ledio Bianku dhe se bashkëshortja e tij ia mbathi nga drejtësia për të evituar skanimin e pasurisë nga Vetingu, Biba duhej shkarkuar edhe si anëtar i Autoritetit të Konkurrencës.

PS-ja dhe sferat jashtë saj kanë shumë figura me integritet për një pozicion të tillë kaq të rëndësishëm.

Promovimi i Denar Bibës është një mesazh i qartë se sa më shumë njolla të keq dhe sa më shumë i zhytur të jesh, aq më lart ngjitesh.

Çuditërisht, ngjitja e Denar Bibës në krye të Autoritetit të Konkurrencës nuk po kundërshtohet nga askush, përveç Erion Braçes, i cili sot është e vetmja opozitë e vërtetë në vend.



Më të lexuarat