Policia greke ka goditur një bandë të trafikut të drogës. Në kuadër të operacionit të gjerë policor, i cili u zhvillua të martën në qytetet Komotini, Aleksandropolis dhe Selanik, u arrestuan gjithsej 38 anëtarë të bandës.
Bëhet fjalë për 36 grekë ( mes tyre 30 burra dhe 6 gra) dhe 2 shtetas të huaj.
Në operacionin policor janë përfshirë punonjës policie të Drejtorive të Policisë Rodopi, Orestiada, Aleksandropolis, Dramë dhe Ksanthi dhe nëndrejtoria e Prokurorisë së Drogës pranë Drejtorisë së Sigurisë së Selanikut.
Për vërtetimin dhe zbardhjen e veprimtarisë kriminale të të arrestuarve, u krye një hetim policor, gjatë të cilit u konstatua se autorët nga fillimi i muajit janar 2021 i janë bashkuar një organizate kriminale. Ata vepronin në mënyrë të strukturuar dhe kishin role të alternuara sipas rrethanave me qëllim shitjen e drogës.
Nga monitorimi shumë mujor i funksionimit të bandës dhe ecuria e hetimeve, u konstatua se anëtarët ishin aktivë në shitjen e drogës për përdoruesit e Njësive Rajonale Rodopi, Ksanthi dhe Evros, sasi të cilat ishin furnizuar nga Selaniku dhe Komotini. Përveç kësaj, hetimi zbuloi se organizata furnizonte drogë për të paktën 115 persona.
Gjatë kontrolleve në banesat e autorëve, në automjete dhe në vende të fshehta, u gjetën dhe u konfiskuan: një kilogram e 608,7 gram kanabis të papërpunuar, 502 pilula droge, 342 gramë metamfetaminë kristaline, 10 ml vaj hashashi, tre thika, katër peshore elektronike precize, 22 cigare të improvizuara kanabis, 9210 euro, një sërë pajisje elektronike dhe telefona celularë. Gjithashtu janë konfiskuar dy automjete.