Prapaskena

Nesër s’prova e madhe në Apel për vendimarjen pro ose kundër ndaj Shullazit dhe bandës së tij

Publikuar: 02/12/2021

Pas 83 seancash gjyqësore të zhvilluara në dy vite, nesër pritet që Gjykata e Apelit të Posaçëm të dalë me një vendim, kundër ose pro, ndaj Emiljano Shullazit dhe 4 të pandehurve të tjerë, pjesë e bandës së tij, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazit.

Vendimi që pritet të lexohet ditën e nesërme në orën 13:00, ka shumë gjasa të jepet në mungesë të avokatëve mbrojtës dhe 5 të pandehurve, të cilët prej seancës së 24 nëntorit 2021, refuzuan të mernin pjesë në këtë gjykim, duke braktisur së bashku sallën e gjykatës.

Vendimarja e nesërme do jetë një s’provë e rëndësishme e Gjykatës së Apelit të Posaçëm, për shkak se kjo dosje është një nga çështjet më të rëndësishme që ndodhet në gjykim pranë kësaj gjykate.

Ndërsa gjatë kësaj kohe, ka pasur nuanca dhe tratativa për të kapur gjyqtarët e çështjes, me qëllim ndikimin tek ta.

Janë plot 81 seanca gjyqësore që u shtynë në Gjykatën e Apelit, ku vetëm në datën 24 Nëntor, kryetarja e trupit gjykues, Miliana Muça, urdhëroi të pandehurit se do vijonte gjykimin ndaj tyre pa prezencën e avokatëve mbrojtës.

Këtë vendim gjyqtarja Muça, e mbrojti duke pretenduar se ekziston një vendim i Gjykatës së Strasburgut, që argumenton se kur personit të arrestuar i jepen të gjitha mundësitë për t’u mbrojtur dhe ai refuzon të mbrohet, atëherë gjykimi ndaj tij mund të vijojë pa avokatët mbrojtës.

Seanca ndaj Shullazit dhe 4 të pandehurve të tjerë është ndjekur në mënyrë të vazhdueshme edhe nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Në shkallën e parë gjykata dënoi me 14 vite burg, Emiljano Shullazin, për akuzat e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal, ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzën e kanosjes ndaj dy rektorëve Mynyr Koni e Dhori Kule dhe atë të shkatërrimit të pronës, për vendosje tritoli biznesmenit Jani Zaka në Tiranë dhe Adriatik Kuçuku në Lushnjë.

Për katër anëtarët e tjerë të grupit, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë 12 vite burg për Gilmando Danin, Indrit Qyqja 10 vite, Indrit Zela 10 vite dhe Blerim Shullazi 9 vite burg.

Ndërsa vetë prokuroria në pretencën e saj kërkoi dënimin e Shullazit me 18 vite burgim.

Veç kësaj çështje penale ndaj Emiljano Shullazit vijon të qëndrojë në fuqi edhe një masë e dytë sigurimi “arrest në burg”, për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese” në dëm të Vajdim Lamaj dhe Artan Arsit, ngjarje kjo e ndodhur në muajin shkurt 2005 në Tiranë.



Më të lexuarat