Krydemokrati Lulzim Basha ka përforcuar masat e sigurisë në “selinë blu”.
Me afrimin e kongresit të “11 dhjetorit” të paralajmëruar nga lideri historik i kësaj partie Sali Berisha, shefi i opozitës ka kërkuar nga stafi i ngushtë parashikimin e të gjitha skenarëve të mundshëm.
Mesohet se është izoluar e gjithë hapësira e selisë ku ndodhet zyra e kreut të Këshillit Kombëtar Edi Paloka, vend ku janë depozituar edhe formularët e plotësuar nga delegatët.
Siguria e “selisë blu” ka ndërruar bravat kryesore të hyrjes ku tashmë nuk mund të depërtohet me lehtësinë e dikurshme, raporton gazeta Drita.
Porta hyrëse e këtij kati fundor, korridori, portat që të çojnë te zyra e Palokës dhe disa nga zyrat kryesore tashmë kanë çelësa të rinj për të penguar në kohë ndonjë skenar të mundshëm nga ana e përkrahësve të Berishës.
Ndërkohë, duket se as vetë Paloka tashmë e ka të vështirë të shkojë në zyrën e tij ku edhe vetë deklaratat e firmëtarëve po bëhen në hollin e selisë dhe jo nga vendi ku u raportua se do të bëhej fillimisht.
Tensioni në “selinë blu” është përshkallëzuar ndjeshëm ditët e fundit me afrimin e kongreseve respektove ku nuk dihet ende fati i forcës më të madhe politike në opozitë.