Prapaskena

Vrasja e trefishtë në Deçan, qeveria e Kosovës ofron 20 mijë euro shpërblim për kapjen e autorit

Publikuar: 28/11/2021

Qeveria e Kosovës ka ofruar shpërblim prej 20 mijë euro për ata të cilët mundësojnë arrestimin e autorit të vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit, ku u sulmua me armë autobusi i nxënësve.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

“Lidhur me rastin e vrasjes së trefishtë të premten mbrëma në Gllogjan, Policia e Kosovës me të gjitha njësitet e saj relevante është angazhuar në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të këtij rasti.

Policia është duke punuar në mbledhjen dhe analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevante për të zbardhur sa më parë këtë rast dhe për të sjellë para drejtësisë sa më parë që të jetë e mundur kryerësin/it e kësaj vepre kriminale.

Megjithatë, për identifikimin sa më të shpejtë ​të kryerësit/ësve të këtij akti kriminal, Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia kërkojnë ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të rëndësishme për zbardhjen e rastit”, thuhet në njoftim.

Më tej kryeministri Albin Kurti ka shtuar se bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës apelojmë te qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri rreth rastit ta ndihmojnë policinë me informacione për gjetjen e autorit/ve të këtij akti dhe për këtë ofrojmë një shpërblim prej 20.000 euro (njëzet mijë euro), për cilindo qytetar i cili mund të jep informacione të cilat shpijnë në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti.



Më të lexuarat