Prokuroria bullgare ka dalë në konkluzionet e para të shpërthimit të autobusit “Besa Trans” që kryente linjën Shkup-Stamboll-Shkup. Sipas prokurorëve të çështjes rezulton se janë gjetur 44 kufoma, ndërsa raporton se një pasagjer nuk është gjetur dhe mendohet se është arratisur nga vendngjarja në Struma.
Më tej, prokuroria beson se shkaku i aksidentit ka qenë gabimi njerëzor i shoferit, i cili sipas 7 të mbijetuarëve e zuri gjumi përpara momentit fatal. Gjithashtu, prokurorët hodhën poshtë pretendimet e disa mediave maqedonase se në autobus kishte karburant shtesë.
Përpara dy ditësh, një autobus me 52 turistë u përplas me bordurën anësore të autostradës së Strumës dhe më pas mori flakë. Autobusi u dogj për 2-3 minuta dhe humbën jetën 44 persona. Ekspertët rrugorë treguan se aksi në fjalë është problematik për shkak të sinjalistikës së vjetëruar dhe terrenit të vështirë.