Pas 9 muajsh, ka dalë në skenë biznesi i dytë që ka hapur djali i ministrit Fatmir Mediu në Shqipëri, Even Mediu, i cili ka studiuar, jeton dhe punon në qendrën “Energy Community Secretariat” në Vjenë-Austri, me detyrë koordinator tregu i energjisë për qeverinë shqiptare.
Është firma “NEXATEL Shpk”, me aktivitet përgatitje infrastrukture, konsulencë e shërbime këshillimi për rrjetin telefonik “5G” në subjekte private e shtetërore, deri tani e mbajtur e fshehtë për arsye që i dinë Fatmir Mediu dhe i biri biznesmen.
Por dihet, që aktivitetin e ka nisur në muajin shkurt 2021, me shërbime teknologjike për rrjetin e komunikim-transmetimit dhe konsulencave, në disa institucine dhe ente publike, mes tyre në Ministrinë e Energjetikës, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshme dhe ente shtetërore të sektorit energjetik.
Zyrat qëndrore 300 m2 të firmës “NEXATEL Shpk”, djali i Fatmir Mediut i ka në kullën “ABA Business Center”, ngjitur me zyrat e Sali Berishës, të cilat rezulton se i ka në pronësi të tij, gjë që duhet verifikuar, se me çfarë të ardhurash i ka blerë këto mjedise në qendër të Tiranës.
E themi këtë, pasi djali 25-vjeçar i ish-ministrit të Gërdecit, ka edhe zyra të firmës tjetër “EM Consulting’s shpk”, me sipërfaqe 210 m2 po në qendër të Tiranës te kulla “EGT Tower”, për të cilat ka bërë deklarim se i ka blerë me të ardhura nga puna e prindërve.
Këtë biznes e ka hapur më 29 korrik 2020 dhe e ka në ortakëri 50%-50% me babain e tij Fatmir Mediu, dhe ushtrojnë aktivitet për konsulencë e menaxhim energjie, projekte investimesh strategjike në naftë, miniera, burime ujore por dhe për orfrim investimesh të huaja e deri menaxhim marrëdhëniesh politiko-ekonomike ndërkombëtare të çdo lloji.
E përbashkëta e këtyre dy bizneseve të babë e bir Fatmir e Even Mediu, është fakti se ushtrojnë aktivitet të rregullt, por nuk ka asnjë të dhënë për të ardhurat, shpenzimet, fitimet apo humbjet, ndërkohë që po me të dyja firmat “EM Consulting’s” e “NEXATEL”, po përlajnë miliona lekë nga shteti./Pamfleti