Njeriu që bleu për herë të parë ARMO-n, ish-pronar i një televizioni në Tiranë, i prezantuar shpesh edhe si një bamirës, Rezart Taçi është vënë nën akuzë për pastrimin e parave të mafias italiane.
Akuza e skemës së pastrimit të miliona eurove është ngritur për Taçin, kunatin e tij Artur Balla dhe ish truprojën Bledar Lilo përmes hetimeve që janë kryer nga Antimafia italiane dhe që kanë vënë në lëvizje edhe Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, SPAK.
Skema e pastrimit të parave përmes transaksioneve përfshin edhe një bankë të nivelit të dytë në Tiranë, pasu paratë që duheshin pastruar lëviznin në Shqipëri, Itali dhe Zvicër, ku Taçi dhe dy njerëzit e tij bashkëpunonin me 4 italianë për pastrimin e parave të Cosa Nostra-s.
SPAK ka lëshuar 3 urdhër arreste, për Rezart Taçin, ish bosin e naftës në vend, i cili është ende në kërkim dhe dy bashkëpunëtorët e tij Artur Balla dhe Bledar Lilo, që janë arrestuar ditën e sotme.
Taçi mësohet se do të përfitonte përqindjen e tij nga transaksionet bankare, duke qenë se bashkëpunonte në Itali me 90-vjeçarin Francesco Zummon dhe Fabio Petruzzella-n, të cilët janë dy nga italianët e arrestuar në Itali.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga SPAK skema e pastrimit të parave të krimit drejtohej nga shtetasit italian Francesco Zummo, 90 vjeç dhe I.Z., në bashkëpunim me ekonomistin Fabio Petruzzella dhe italianin D.C., të cilët pastronin paratë në Zvicër dhe Shqipëri.
Në Shqipëri bashkëpunëtori i tyre ishte Rezart Taçi, i cili së bashku me 2 të besuarit e tij Artur Balla dhe Bledar Lilo, pastronin paratë përmes bizneseve të tyre në Shqipëri në sektorin e naftës.
Gjatë hetimit janë sekuestruar 18 milion e 399 mijë e 941.50 Euro, që sipas akuzës janë përfituar pikërisht përmes pastrimit të parave të krimit.
Këto para kanë ardhur nga italiani 90-vjeçarin Francesco Zummon gjatë muajit gusht 2021 në Shqipëri ku do të bëhej edhe pastrimi nga Taçi dhe dy bashkëpunëtorët e tij.
Zummo, një sipërmarrës 90-vjeçar nga Palermo, është partner i dyshuar i kryebashkiakut mafioz, Vito Ciancimino, i cili ka qenë një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Toto Rinës.
Sipas mediave italiane Zummo ka ndihmuar Cianciminon në pastrimin e shumave të mëdha të parave. Po ashtu ai është hetuar nga gjyqtari Giovanni Falcone, i vrarë nga mafia, ndërsa është akuzuar se ka qenë në dispozicion edhe të Cosa Nostra-s.
Petruzzella është ekonomist dhe vëllai i një gjyqtari në Palermo, i cili ndihmoi në zhdukjen mbi 18 mln eurove të Zummon, që do të konfiskoheshin, duke i transferuar në një llogari bankare në Tiranë. Janë pikërisht këto para që SPAK i sekuestroi ditën e sotme.
Pas publikimit të lajmit se ka një urdhër arresti për të mbi akuza për pastrim parash, Rezart Taçi ka reaguar menjëherë për Albanian Post duke i cilësuar ato tërësisht të pabaza dhe të pakuptueshme.
“Unë nuk arrij ta kuptoj se si mund të nxirret ndaj meje një urdhër i tillë arresti. Nuk ka asnjë provë, asnjë fakt. Është një vendim tërësisht i pakuptimtë” ka thënë ai. Veç të tjerave, Taç ka thënë se ai as nuk e njeh 90-vjeçarin e akuzuar nga drejtësia italiane për pastrim parash dhe nuk e ka idenë se kush është ai.

Francesco Zummo që drejtoi skemën e pastrimit të parave nga Italia përmes Zvicrës dhe Shqipërisë, kishte krijuar një perandori ndërtimesh në Palermo.
Sipas medieve italiane të cilat i referohen autoriteteve, duke filluar nga fundi i viteve ’60, Zummo, bashkë me partnerin Vincenzo Piazza (i konsideruar këshilltar besnik i një familjeje mafioze) dhe me krahun e tij të djathtë Francesco Civello, ishte ndër përgjegjësit kryesor për ndërtimet në Palermo. Sipas tyre ai kishte krijuar një perandori ndërtimesh prej rreth 2700 pronash.
Gushtin e kaluar, Prokuroria Shqiptare Kundër Korrupsionit raportoi te prokurorët në Palermo se kishte bllokuar një llogari të hapur nga sipërmarrësi në një bankë në Tiranë me 19 milionë euro.