Prapaskena

Aktivistja amerikane paralajmëron se lufta kundër HEC-eve në Valbonë vazhdon

Publikuar: 11/11/2021

Catherine Bohne, drejtuesja e shoqatës Toka – organizata mjedisore që prej vitesh lufton së bashku me banorët e Valbonës kundër ndërtimit të HEC-eve në luginë, shprehet se vendimi i Gjykatës së Lartë për pezullimin e punës së hidrocentrale edhe pse i vonuar është i mirëpritur.

“Në 2019-tën kur Gjykata e Lartë akoma nuk ishte funksionale për shkak të vetingut, kundërshtarët tanë kishin shumë sukses në shtyerjen e proceseve juridike,” kujton Bohne.

“Ne menduam se do të duheshin 10 vite për gjykatën për të shqyrtuar gjithë prapambetjen e çështjes; ndiheshim të dëshpëruar, prandaj kur doli vendimi për pezullim ne u mahnitëm,” shtoi ajo.

Në 21 korrik Gjykata e Lartë vendosi si masë sigurimi padie pezullimin e koncesioneve për ndërtimin e HEC-ev Dragobi dhe Çerem në luginën  e Valbonës, deri në gjykimin në themel të çështjes. Të martën, vendimi i Gjykatës së Lartë u zbatua nga përmbaruesja gjyqësore e Kukësit, Satbere Shahu.

Zbatimi i vendimit nga Shahu erdhi pas refuzimit gati 4-mujor për të vepruar nga përmbaruesi i Tropojës, Eduart Mrishaj.

Sipas Bohne beteja e banorëve të Valbonës kundër ndërtimit të HEC-eve do të vazhdojë edhe pse procesi gjyqësor po ecën me ritme të ngadalta.

“Dëgjova që sot se edhe rasti i Zall Gjocaj fitoi në Gjykatën e Apelit”, tha ajo duke iu referuar betejës kundër hidrocentralit Zais në lumin e Sekës, ndërsa shtoi se mesa duket diçka po ndryshon në sistemin juridik shqiptar.

“Edhe pse pas 6 vitesh nuk është vonë, pasi qëllimi ynë është t’i heqim këto “gjëra” prej lumenjve”, shtoi Bohne, duke iu referuar hidrocentraleve.

Megjithatë, beteja e aktivistes mjedisore kundër HEC-eve nuk ka qenë pa kosto. Me 18 tetor ajo është paditur nga Zyra Publike e Përmbarimit Tropojë për shpifje ndaj përmbaruesit gjyqësor, Eduart Mrishaj, të cilin Bohne e akuzon për mosveprim.

“Ështe qesharake dhe absurde që një zyrë shtetërore të padisë një individ sepse ka folur mbi çfarë ka ndodhur në atë zyrë,” tha Bohne, ndërsa shtoi se mesa duket ata nuk e kuptojnë mirë se çdo të thotë “publike”.

Bohne shpjegoi se e vetmja gjë që ka bërë për të ‘merituar’ padinë është si ka kërkuar Mrishajt të bënte punën e tij, kërkesë që sipas saj përmbaruesi shtetëror e ka refuzuar.

“A ka ndonjë krim këtu?” pyet ajo.

Kjo nuk është padia e parë kundër Bohne. Ajo është paditur më herët për shpifje edhe nga kompanitë ‘Gener 2’ dhe ‘Dragobia Energy’ që kanë financuar dhe ndërtuar HEC-et në Valbonë.

Bohne thotë se presioni i ushtruar ndaj aktivistëve nga kompanitë e HEC-eve dhe kompanitë private të sigurisë të punësuara prej tyre nuk është kufizuar vetëm në sallën e gjyqit.

“Përndjekja sistematike e aktivistëve të zonës ka bërë që asnjë prej tyre mos të jetë më dhe aq i lumtur për të tërhequr vëmendjen tek vetja, sidomos kur duket rast i pashpresë,” përfundoi ajo.



Më të lexuarat