“Më jep 7,000 euro ose të hodha prangat, të kërkon Italia”, arrestohet oficeri i njësisë speciale të Policisë, shantazhoi qytetarin

Pa Kategori

Publikuar: 05/11/2021

“Më jep 7,000 euro ose të hodha prangat, të kërkon Italia”, arrestohet oficeri i njësisë speciale të Policisë, shantazhoi qytetarin

Një oficer i njësisë speciale të Policisë, FAST Albania, është arrestuar nga kolegët e tij në Elbasan pasi, ka shantazhuar dhe i ka marrë 7,000 euro një qytetari. Në pranga ka rënë oficeri i Policisë Sokol Fana, 26 vjeç.

Qytetarit të identifikuar me inicialet K.H, i bëhej shantazh se “kishte probleme me drejtësinë italiane” dhe nëse nuk i paguante oficerit Sokol Fana shumën e eurove, ai do të arrestohej dhe do të dërgohej në Itali për të vuajtur dënimin, mëson newsbomb.al.

Një dënim që në fakt nuk ekzistonte pasi qytetari në fjalë ishte “i pastër”.

Pasi i ka dhënë 7 mijë euro oficerit të njësisë speciale FAST Albania, ose Njësia K, qytetari me inicialet K.H ka bërë verifikimet e nevojshme dhe ka vërtetuar se ai në fakt nuk ishte në kërkim nga asnjë shtet europian dhe as nga Italia.

Menjëherë, ai i është drejtuar Policisë së Elbasanit dhe ka bërë denoncim. Kanë qenë vetë kolegët e Sokol Fanës të cilët kanë organizuar një operacion dhe i kanë vënë prangat atij. Materialet për këtë rast i kanë kaluar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme hetimore.