“Arkitekti” i reformës në drejtësi kritikon organet e vetingut

Pa Kategori

Publikuar: 02/11/2021

“Arkitekti” i reformës në drejtësi kritikon organet e vetingut

Propozimi i 39 deputetëve socialistë për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim zgjatjen e afatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik u diskutua të hënën në mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionin për Çështjet Ligjore në Kuvend.

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla e quajti nismën si teknike, por kolegu i tij Fatmir Xhafaj, i etiketuar shpesh si “arkitekti’ i reformës në drejtësi për shkak të drejtimit të komisionit të posaçëm – ndau një qëndrim të ndryshëm.

Xhafaj kërkoi që momenti të shërbente për një analizë dhe nxjerrje përgjegjësish për institucionet e vetingut, ndërsa adresoi kritika edhe për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit.

“Personalisht jam jashtëzakonisht i pakënaqur nga ritmi i punës, në veçanti të KPK-së, por edhe OMN-së. Cilat janë garancitë që s’do vijmë prapë këtu pas 2 vjetësh e të themi a e shtyjmë prapë?”, tha ai.  Sipas Xhafajt, mbi procesin janë hedhur shumë dritë-hije dhe duhen gjetur faktorët e vonesës.

“Nga mënyra si është zhvilluar ka diktuar shumë hallka të tjera të reformës në tërësi, proces nga i cili varet gjithë integriteti i vetë reformës. Ky është një rast për të gjykuar këtë proces,” shtoi ai.

Ai i propozoi Këshillit të Legjislacionit që nëpërmjet analizës dhe gjykimit të kuptohet nëse ka nevojë për instrumente shtesë mbështetëse “për të siguruar standardet evropiane dhe për të forcuar integritetin e vendimmarrjes”.

Nisma kushtetuese u prezantua nga kreu i grupit socialist, Taulant Balla, i cili referoi dhe një letër të Komisionit Europian dhe OMN-së që kërkonin zgjatjen e afateve të organeve të vetingut për shkak të volumit të dosjeve që kanë mbetur pa u shqyrtuar.

Deputetët e Partisë Demokratike braktisën mbledhjen që në fillim, pasi nuk u mor parasysh kërkesa e tyre për bashkimin e dy nismave për ndryshimet kushtetuese.

PD ka dorëzuar me 5 ditë diferencë nga PS nismën për disa ndryshime në Kushtetutë, ku kërkohet vetingu i politikanëve, si dhe preket sistemi zgjedhor e reforma territoriale.

Para largimit nga takimi, kreu i grupit parlamentar të PD, Alfred Rushaj e cilësoi të paarsyeshme që dy nismat të ndahen, kur kanë të bëjnë me të njëjtin objektiv.

“Këtu po flitet për një konsensus që ka nevojë për votat e të dyja palëve, 93 – 94 vota, ndërkohë që nuk bien dakord për të shtyrë me dy ditë diskutimin e një mbledhje, ku do të diskutohen këto ndryshime,” tha Rushaj, duke kërkuar që projektligjet të shqyrtohen në tërësi.

Përfaqësuesit e mazhorancës argumentuan se është më mirë që dy nismat të diskutoheshin më vete për nga specifikat e tyre ligjore.  Për deputeten socialiste, Klotilda Bushka, nisma për organet e vetingut nuk mund të presë diskutimet mbi nismën e PD-së, të cilat kërkojnë një kohë më të gjatë.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, nuk e pranoi kërkesën e opozitës duke e cilësuar mbledhjen në respekt të rregullores. “Ti japim nismave rëndësinë që meritojnë dhe të ndara si dy procese të Kuvendit,” tha ajo.