Nga Ezgi Toper “TRT World”
Policia në Gjermani, Itali dhe Bullgari kreu së fundmi një operacion të sinkronizuar në 46 godina për të gjetur gjurmë dhe lidhje të mundshme me një nga grupet më të mëdha mafioze në botë, Ndrangheta. Policia gjermane konfirmoi se bastisjet ishin pjesë e një hetimi nën drejtimin e Zyrës së Prokurorit Publik Evropian.
Edhe pse organizata kriminale italiane ka ekzistuar që nga fundi i shekullit XVIII-të, ky grupim ka pushtuar kohët e fundit titujt e mediave ndërkombëtare. Më 13 janar të këtij viti, 355 anëtarë të dyshuar të kësaj organizate si dhe zyrtarë të korruptuar u akuzuan për një sërë krimesh, përfshirë trafikun e drogës, lidhjet me mafian, vrasje, vrasje e mbetur në tentativë, zhvatje, zbulim të sekreteve zyrtare dhe shpërdorim detyre.
Të dyshuarit ishin arrestuar nga policia italiane në dhjetorin e vitit 2019, gjatë një operacioni të drejtuar nga prokurori italian Nikola Grateri. Ky “maksi-proces” i ri po zhvillohet aktualisht në rajonin jugor të Italisë, në Kalabri, ku e ka edhe origjinën ky grupim i njohur kriminal.
Ai përfshin më shumë se 900 dëshmitarë dhe pritet të zgjasë edhe 2 vite të tjera. “Disney Plus” tërhoqi akoma më shumë vëmendje rreth këtij gjyqi në fillim të këtij muaji, kur njoftoi realizimin e një serie dokumentarësh investigativë, që do të hedhin dritë mbi historinë e Ndrangheta-s.
Po kush është kjo organizatë, dhe si u shndërrua në grupimin më të fuqishëm të krimit të organizuar në Itali, dhe një nga më të mëdhenjtë në botë?
Sipas një studimi të institutit kërkimor “Demoskopika” në vitin 2014, Ndrangheta, vlerësohet se fiton deri në 60 miliardë dollarë në vit, pra më shumë se Deutsche Bank dhe McDonald’s të marra së bashku.
Sa për të bërë një krahasim tjetër, të ardhurat e saj vjetore janë më shumë se PBB-ja e vendeve si Jordania, Libani dhe Uruguai. Më shumë se gjysma e të ardhurave të tyre vijnë nga tregtia e kokainës në Evropë, nga e cila mendohet se kontrollojnë më shumë se 80 për qind sipas Projektit të Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OÇRP).
Krahas drogës, ajo është e njohur për disa skema kriminale që përfshijnë pastrimin e parave dhe evazionin fiskal me vlerë miliona dollarë, mashtrimin, zhvatjen, korrupsionin e nivelit të lartë dhe trafikimin e njerëzve dhe armëve në të gjithë globin.
Ndrangheta është një fjalë me origjinë greke, dhe mendohet se do të thotë “shoqëri e burrave të nderit”.Ironia e këtij termi nuk i ka shpëtuar as studiuesve të mafias siç është edhe gazetarja gjermane Petra Reski. Reski, e njohur për librat e saj kundër mafias, e cila thotë për TRT World, se krimet e shumë përhapura të pastrimit të parave të organizatës na prekin të gjithëve, por shumë shpesh ato nuk kontrollohen.
“Për shembull një kontraktor gjerman, e di shumë mirë se nën-kontraktorët (të ngjashëm me mafiozët) që ai zgjedh nuk e kryejnë punën me mjete të ligjshme. Por ai i zgjedh gjithsesi sepse mund të fshihet pas argumentit se zgjodhi “ofertën më të lirë”-thotë Reski, autore e librit “Mafia. Një histori e kumbarëve, picerive dhe priftërinjve të rremë”, dhe disa librave të tjerë të njohur.
Ky grupim kriminal e ka origjinën në Kalabri, dhe është shumë i lidhur me traditat dhe zakonet e këtij rajoni. Një zyrtar amerikan tha dikur “në rast se nuk do të ishte pjesë e Italisë, Kalabria do të ishte një shtet i dështuar” në një kabllogram konfidencial të vitit 2008 të bërë publik nga WikiLeaks në vitin 2011.
Diplomati e bëri këtë koment në lidhje me korrupsionin dhe paligjshmërinë e përhapur në rajon për shkak të Ndrangheta-s. Ndërsa të gjitha grupimet mafioze në Itali janë të interesuara për pushtet dhe fitime, Ndrangheta është një grup kriminal tradicional, thotë për TRT World dr.Ana Sergi, pedagoge e kriminologjisë në Universitetin Eseks në Britani.
“Ritualet e anëtarëve të saj tingëllojnë si rituale të vjetra masonike. Secila gradë ka ritualet e saj, dhe bashkëpunëtorët bëjnë betime me gjakun e tyre dhe me përsëritjen e formulave të vjetra të betimit”- thekson Sergi. Ligji italian e klasifikoi Ndrangheta-n si mafia në vitin 2010, por grupi ishte bërë shumë i njohur në Itali shumë më herët, pas një serie rrëmbimesh në vitet 1980-1990, ku një prej tyre ishte edhe nipi i manjatit të naftës Xhon Pol Geti.
Në vitin 2007, organizata bëri bujë ndërkombëtarisht pas vrasjes së 6 anëtarëve të klanit rival në Duizburg të Gjermanisë, si pjesë e një grindjeje të vazhdueshme midis familjeve nga San Luka e Kalabrisë. Ndonjëherë grupi konsiderohet si një organizatë e vetme.
Në fakt, përbëhet nga shumë klane më të vogla, ose “ndrina”, që operojnë nën një “strukturë të bazuar në familje, të ngjashme me rrjetin”.Struktura mund të ndahet përafërsisht në dy pjesë kryesore, Crimine, i njohur si këshilli suprem i organizatës, dhe Mandamenti, të cilat përbëhen nga klane familjare rajonale, ndrinat.
