Në 2019-n, kur Turqia njoftoi blerjen e sistemit antiraketë rus, S-400, SHBA reagoi duke e përjashtuar Ankaranë nga programi i avionëve “fantazmë” F-35 mes shqetësimeve se mund t’i jepte Rusisë sekretet ushtarake.
Prej asaj kohe, Turqia ka kërkuar që të përfshihet sërish në këtë program, sipas pagesës që ka kryer në kuadër të NATO-s. Por, Uashingtoni ka deklaruar se embargoja ndaj gjeneratës së fundit të avionëve luftarakë hiqet vetëm nëse Turqia do të fikë sistemet antiraketë ruse.
Turqia jo vetëm që ka refuzuar fikjen e këtyre sistemeve, por ka njoftuar planet për blerjen e të tjera baterive të tyre dhe së fundmi hapi edhe derën për marrjen e gjeneratës së fundit të avionëve luftarakë rusë, Sukhoi-35, ose Sukhoi-57.
“Nëse SHBA nuk ka dëshirë që ta zgjidhë çështjen për avionët F-35, ose nëse Kongresi i SHBA e bllokon atë, Turqia do të konsiderojë si opsion blerjen e Su-35 dhe Su-57”, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu në një intervistë për CNN Turk ditën e enjte.
Deklarata e tij pason atë të Drejtorit të Industrisë Mbrojtëse të Turqisë, Ismail Demir, që tha se Ankaraja mund të blejë avionë luftarakë rusë nëse SHBA ngrin dërgesat e F-16 dhe F-35 të premtuar sipas dy marrëveshjeve të nënshkruara mes dy vendeve.
Blerja e F-16, tha më herët Presidenti turk, Recep Taip Erdogan, është një propozim i Uashingtonit për t’i kthyer 1.4 miliardë dollarët që Turqia ka paguar për F-35.
Në lidhje me avionët rusë, Turqia mund ta mendojë seriozisht blerjen e tyre nisur edhe nga kostoja më e lirë, si e blerjes, ashtu edhe e mirëmbajtjes, ndërsa sa u takon aftësive luftarake, rusët pretendojnë se Su-35 dhe Su-57 janë superiorë ndaj F-35 së Lockheed Martin.
Rusia dhe Turqia nënshkruan në 2017 një kontratë me vlerë 2.5 miliardë dollarë për katër bateri sistemi antiraketë, S-400. Dërgesa e parë u krye në 2019-n.