Pas largimit të deputetëve të partisë Socialiste mbledhja e komisionit hetimor për Zgjedhjet e 25 Prillit, ka vijuar me incidente, teksa momenti kulmimant ka qenë përplasja mes kryetarit Enkelejd Alibeaj dhe punonjëses së administratës së kuvendit.
Punonjësja ka kërkuar që Alibeaj të ndërpriste mbledhjen duke qenë se deputetët socialistë nuk ishin më në sallë. Ndërsa Alibeaj ka reaguar ashpër duke i kërkuar gardës së Republikës ta nxirrte përjashtë.
Alibeaj: Garda ju lutem zonjën nxirreni jashtë, nuk është as deputete.
Alibeaj ka shtuar më tej se do të merrte veprime penale ndaj kujtdo që përpiqej të ndikonte në ndalimin e punës së komisionit, duke kërcënuar në këtë lloj mënyre edhe punonjësen e administratës e cila tha se nuk i druhej dickaje të tillë.
Alibeaj: Do të ndjek penalisht edhe ty dhe këdo që tenton të shkelë ligjin.
Ndërkohë që mbledhja e Komisionit vazhdon, Kuvendi i Shqipërisë, ka shkëputur linkun e transmetimit të mbledhjes.