Vrasja e biznesmenit Demir Backa në Fier prish balancat për ngjarjet kriminale që ndodhin në këtë qark, sipas gazetarit Julian Kasapi.
Ai u shpreh në “Now” me Erla Mëhillin se një ngjarje e tillë mund të bëhet shkak për disa ngjarje të tjera.
“Kohët e fundit nëse e keni vënë re në qytetin e Fierit nuk ka pasur ngjarje të tilla kriminale dhe një ngjarje e tillë sigurisht që bëhet shkak për një seri ngjarjesh të tjera dhe duhet të kujtojmë që mënyra e ekzekutimit të 57-vjeçarit, biznesmenit Demir Backa sigurisht që rikthen konflikte që me siguri grupi hetimit i ka në tryezë por që mbetet ende kohë për të zyrtarizuar që kemi të bëjmë me konflikte sa i takon pjesës ekonomike,”- u shpreh Kasapi.
Gazetari solli në vëmendje se ka pasur konflikte në disa zona ku po investohet ekonomikisht në qytetin e Fierit.
Ai tha se kjo është një vrasje tipike mafioze sepse përveç ngjarjes së rëndë, atentatorët kanë qenë në lëvizje, gjë që tregon profesionalizmin e tyre në momentin që kanë qëlluar drejt viktimës.
Sipas Kasapit policia ka barrën për të zbuluar më shumë sa i takon autorëve, por edhe kësaj here si në pjesën më të madhe të rasteve ngelet me provën e një automjeti të djegur.