Kryeministri Edi Rama në një konferencë të përbashkët me ambasadorin e BE-së në vendin tonë, ka komentuar progresraportin e Komisionit Europian për Shqipërinë.
Rama:
Siç e dini, është tanimë një traditë që raporti i Komisionit Europian dorëzohet në mënyrë protokollare edhe në Shqipëri, si në të gjitha vendet që janë në këtë proces, dua ta falenderoj ambasadorin Soreca, për jo vetëm këtë prani në momentin më të rëndësishëm të ndërveprimit mes Shqipërisë dhe KE, por sinqerisht për punën e madhe dhe të palodhur të të gjithë ekipit të delegacionit, një punë që zhvillohet çdo ditë pa orar, pa vëmendjen e publikut dhe të medias.
E kam thënë në më shumë se një rast që ky është një instrument që ne na ofron vetëm BE, vende që janë në një fazë të ndërmjetme, kalimi nga një stad i caktuar, siç ishim me në diktaturë, në një demokraci funksionale. Është e rëndësishme që të gjithë ta kuptojnë, se përtej vetë anëtarësimit është një proces i brendshëm, për të pasur këtu ku jetojmë të gjitha normat dhe standardet e një shteti modern.
Raporti është në vazhdën e raporteve të tjerë, ku Komisioni thotë që Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet, për të ndërmarrë së bashku me BE diskutimin e anëtarësimit. Dua të theksoj diçka që e kam theksuar vijimësisht, dhe në forumet më të larta mes vendeve të BP dhe BE, se meqë jemi te Komisioni Europian, nja partner i drejtë dhe i paanshëm, një partner që e vlerëson progresin duke u bazuar në hulumtimin e fakteve në terren.
Nuk ka, nuk gjendet, në asnjë kryeqytet të vendeve anëtare, një strukturë e ngjashme, apo që mund ta konkurojë nga cilësia e hulumtimit, delegacionin e Komisionit Europian dhe BE në vendin tonë, që monitorojnë çdo ditë dhe çdo ore atë që ndodh në vendin tonë.
Këto që dalin rrugës janë të gjitha politike, nuk janë teknike.
Raporti e vulos që Shqipëria vjen nga një proces zgjedhor, në përputhje me standardet dhe me rekomandimet e ODHIR, Shqipëria vijon të ecë përpara me reformat, duke nisur nga ajo në drejtësi, reforma në administratën publike, ku lufta ndaj krimit të organizuar përcaktohet si një luftë që përparon, ku respekti për të drejtat dhe liritë e njeriut rikonfimohet si vlerë bazike, ku politika e barazisë gjinore vlerësohet, ku përpjekjet tona për përafrimin e kuadrit ligjor me vendet e BE përshëndeten, ku angazhimi shumëpalëshe e Shqipërisë në kuadër të politikës së jashtme nënvizohet si një vlerë.
Të jemi të qartë se raporti i progresit është dhe një dokument që nxjerr në pah problemet, dhe çështjet ku duhet të ketë progres të mëtejshëm. Në këtë moment në Europë nuk ka një oreks për zgjerim, por për të shkuar në atë pikë ne duhet të vazhdojmë, të vazhdojmë përpjekjet. Ne nuk duhet të vlerësojmë dhe të gjykojmë përpjekjet tona, në bazë të si, sa, pse, nëse hapet apo jo drita jeshile në stacione. Nuk është proces që e bëjmë se na e imponojnë në Bruksel apo në Paris, ne e bëjmë që në këtë vend gjeneratat e tjera të jetojnë në një vend dinjitoz.