Plan masash për rritjen e çmimeve, Rama mbledh nesër në mëngjes qeverinë

Pa Kategori

Publikuar: 07/10/2021

Plan masash për rritjen e çmimeve, Rama mbledh nesër në mëngjes qeverinë

Brenda javës Kryeministri Edi Rama tha se do të lançojë paketën e posaçme për mbrojtjen e shtresave në nevojë dhe biznesin e vogël nga rritja e çmimeve. E ndërsa të gjithë presim për planin e masave që do të ndërmerret edhe për t’i bërë ballë krizës së mundshme energjetike, kryeministria bën me dije se ditën e nesërme Rama do zhvillojë mbledhje me ministrat në orën 09:00. Në përfundim të mbledhjes Rama do të ketë një komunikim për mediet, ku me shumë mundësi do të shpalosë planin e masave.

Lajmi për ngritjen e një grupi ndërinstitucuional për të menaxhuar dhe monitoruar çdo moment ecurinë e situatës energjetike u njoftua nga zv. Kryeministri Arben Ahmetaj pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave një ditë më parë.

“Situata energjetike në vend është konseguencë e krizës globale. Në një treg global ekonomia influencohet drejtpërdrejtë nga situata globale, sidomos për mallra që kuotohen në bursa apo që lidhen drejtpërsëdrejti me import-eksportin. Kryeministri ka ngritur një grup ndërinstitucuional për të menaxhuar dhe monitoruar çdo moment ecurinë e situatës energjetike. Vala e çmimeve ndërkombëtare sigurisht që prek edhe brigjet e Shqipërisë, por ne jemi të gatshëm të mbrojmë konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël. Shumë shpejt brenda javës Kryeministri do të shpalosë vetë platformën për mbrojtjen e konsumatorit familjes dhe sipërmarrjen e vogël“, tha ai.

Paralajmërimin e krizës energjetike Rama e bëri 4 ditë më parë në një deklaratë të papritur. Duke qenë se bota aktualisht po vuan një krizë energjetike, pasojat siç tha Rama po fillojnë të ndihen edhe në Shqipëri. Vala e rritjes së çmimeve në vendin tonë ka sjellë edhe rritjen e ushqimeve të shportës, bukës dhe të naftës e gazit.