Partia Demokratike do të ngrejë shumë shpejt një grup pune dhe do të kërkojë edhe në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni për reformën zgjedhore.
“Do t’i çojmë shumë shpejt Kuvendit kërkesën për ngritjen, apo për vazhdimin e punës për reformën zgjedhore”, deklaroi kreu i PD, Lulzim Basha për mediat pas takimit me delegacionin e OSBE që hartoi raportin për zgjedhjet e 25 prillit.
Por, vetëm reforma zgjedhore, thotë Basha, nuk mjafton.
“Sepse regjimi me 25 prill dhe të gjitha muajt para 25 prillit dhe pas 25 Prillit deri në procesin e ankimimeve, shkeli dhe ato rregulla që kishte aprovuar vetë, ato që kishte aprovuar vetë, pa opozitën, pa Partinë Demokratike, pa aleatët tanë. Pra qartësisht në këtë vend nuk duhet thjeshtë një reformë zgjedhore, por duhet një shkundje e thellë në mënyrë që instrumentat e regjimit të mos funksionojnë më dhe vendi të kthehet në demokraci”, u shpreh Basha.
Dy mekanizmat kryesorë për të ecur drejt kësaj, tha Basha, është “t’iu japim shqiptarëve jo thjesht legjislacionin, pra Kodin Zgjedhor, Kodin Penal, ndryshime të tjera, ndryshime për të garantuar lirinë e medias, por edhe instrumentet që garantojnë që ky legjislacion do të zbatohet nuk do të mbetet në letër, se jam i bindur që ligje të mira ka edhe Lukashenko, por Shqipëria nuk mund të jetë dhe nuk mund të bëhet Bjellorusi”.
Duke komentuar raportin për zgjedhjet të OSBE/ODIHR, Basha tha se ai është i njëjtë me raportet e zgjedhjeve në Bjellorusi.
Para kësaj deklarate të Bashës, ishte Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri që tha se socialistët ishin gati për të diskutuar në lidhje me reformën zgjedhore. Ai foli pas një takimi me ambasadoren Urszula Gaçek.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste shprehu gatishmërinë e mazhorancës për t’u ulur në tryezë me opozitën me synim adresimin e të gjitha rekomandimeve të lëna nga raportet e OSBE/ODIHR-it, përfshirë nevojën për depolitizimin e administratës zgjedhore. Sipas tij, dialogu politik brenda institucioneve ka raste të shumta suksesi të kryerjes së reformave të rëndësishme bipartizane.