Nga Arsen Rusta (Report Tv)
Merr fund misteri mbi zhdukjen në Shqipëri të biznesmenit italian Devide Pecorelli. Ndryshe nga çfarë dyshohej, ai është gjetur i gjallë në ishullin Elba në Toskana të Italisë. Automjeti që ai kishte marrë me qira u gjet i djegur në Pukë në janar të këtij viti, ku brenda ishte edhe një trup i djegur, por nuk u konfirmua se i përkiste Pecorellit. Ndërkohë ky i fundit u gjet mbrëmjen e djeshme në një gomone në det, ndërsa përgjatë këtyre 9 muajve që rezultonte i zhdukur, ai ishte strehuar në një hotel në ishull.
Pecorelli ka dhënë deklarimet në polici, e më pas u la i lirë, por nuk dihen ende arsyet se përse ai inskenoi të gjithë ngjarjen. Mësohet se ai kishte ndryshuar edhe pamjen e jashtme, në mënyrë që të mos identifikohej në Itali. Paraprakisht dyshohet se ai krijoi këtë skemë për të fituar siguracionet.
Nga Shqipëria ai u largua në mënyrë ilegale nga Hani i Hotit për të shkuar më pas drejt Italisë, dhe në këtë skemë mashtrimi dyshohet se është ndihmuar edhe nga shqiptarë, kundrejt pagesës.
Biznesmeni italian, baba i 4 fëmijëve, është shprehur i gatshëm të japë dëshminë e tij në prokurorinë e Perugia, për të sqaruar të gjitha detajet e ngjarjes. Ndërkohë në Shqipëri dhe Itali tashmë janë pushuar hetimet për vrasje dhe Pecorelli do të hetohet për “Mashtrim”.
Ndërkohë, mbetjet kockore të gjetur në automjetin e djegur rezultojnë se janë mbetje kockore të në njeri, dhe dyshohet se janë marrë në një varrë të vjetër në zonë. Mbetjet e gjetura kockore janë dërguar në Itali për t’u ekzaminuar.
Në fillim të këtij viti, makina që Pecorelli kishte marrë me qira në aeroportin e Tiranës u gjet i shkrumbuar në Pukë dhe brenda automjetit u gjetën edhe mbetjet kockore të një personi, si dhe sende personale të biznesmenit italian. Ngjarja u dyshua si kriminale dhe hetimet u përqendruan te një vrasje e mundshme, ndonëse nuk rezultonte se Pecorelli të kishte patur konflikte me njeri.
Ai kishte biznese ku tregtonte pajisje për sallone bukurie dhe ishte në një periudhë delikate sa i përket të ardhurave, megjithatë nuk kishte informacione se ishte në borxh. Në Shqipëri për të sqaruar misteret që rrethonin këtë ngjarje erdhën edhe hetues italianë, por pa hedhur dritë. E ndërsa hetuesit punon për të zbuluar se kush e vrau biznesmenin italian në Shqipëri, ngjarjet morën kthesë tjetër mbrëmjen e 17 shtatorit, ku Pecorelli u gjet shëndoshë e mirë, teksa jetonte në një hotel në ishull.