Kulmi i durimit të Berishës arriti në 9 janar të vitit 1997, ku me urdhër të tij, kryesia e grupit parlamentar të PD, vendosi t’i propozonte Kryesisë së PD-së përjashtimin e Azem Hajdarit nga grupi i PD-së.
Ky vendim erdhi pasi Azem Hajdari kishte nisur një valë kritikash ndaj qeverisë së Aleksandër Meksit, por pa atakuar Berishën si President.
Me kauzën e mbrojtjes së sindikatave, Azemi synonte t’i diktonte Berishës rrëzimin e Meksit, për t’u dhënë një tjetër mesazh demokratëve për fuqinë e tij në PD.
Por, Berisha nisi një sulm frontal ndaj Azemit, me gazetën Rilindja Demokratike dhe Albania, me akuza, pyetje shantazhuese dhe mesazhe të koduara. Berisha vuri në lëvizje edhe strukturat e PD-së.
Shumë shpejt Azem Hajdari u ‘ngri’ si anëtar i Këshillit të Kombëtar të PD-së. Disa ditë më pas, Kryesia e PD-së përjashtoi Azemin nga grupi parlamentar të PD-së.
Në seancën e parë plenare të Kuvendit, të datës 20 janar 1997, Azem Hajdari, mban një fjalim mbi përjashtimin e tij.
Hajdari thekson se përjashtimi i tij është i paligjshëm, ndërsa shton se nuk është thirrur as në Këshillin Kombëtar të PD-së, as në kryesi dhe as në grupin parlamentar, siç e kërkon procedura.
Ndërkaq, në emër të PD në Kuvend, Azemit i jep përgjigje Ferdinand Xhaferri.
Ky i fundit thotë se Azemi është përjashtuar pasi dalë hapur në kundërshtim me vijën politike të partisë. 23 vite më vonë, Partia Demokratike përjashton nga radhët dhe strukturat e saj, të bijën e Azem Hajdarit, Rudina Hajdarin, pasi nuk iu bind vendimit politik për të dorëzuar mandatin e përfaqësimit në Kuvend.
Fjalimi i Azem Hajdarit në Parlament në 20 janar 1997 pas përjashtimit
Ju falënderoj që më dhatë fjalën. Në ato çka thatë ju, z. Kryetar, mendoj që ana procedurale nuk ekziston. Ajo është shkelur për dy arsye. Në rast se grupi parlamentar ose dhe një deputet i thjeshtë do ta bënte një propozim të tillë, kjo është kompetencë e grupit parlamentar dhe në asnjë nen të statutit të Partisë Demokratike nuk shihet forca vendimore e kryesisë së PD për të përjashtuar një deputet nga grupi parlamentar. Kjo është një lidhje nga lart-poshtë, e cila nuk shqyrtohet fare në forume.
Unë aktualisht jam anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, i pezulluar pa afat, dhe “pezullimi” si term ndryshon nga “përjashtimi”. Aty nuk përmendet motivacioni që ka thyer programin e PD-së. Ai që vendos për përjashtimin tim është Kongresi i PD-së, që e pranon propozimin e kryetarit ose jo, në rast se një kompetencë e tillë ndodhet në statut. Por kjo nuk është në statut. Kjo çështje, ndoshta, nuk është për t’u diskutuar këtu, por do t’u lutesha zotërinjve deputetë të PD-së, të cilët i çmoj e do t’i çmoj, qofsha ose jo anëtar i këtij grupi, që ta shikojnë këtë veprim, që unë e quaj një veprim të nxituar, një veprim që kërkon të krijojë një kontradiktë mes meje dhe Partisë Demokratike, gjë që nuk ka për të ndodhur jo sot, por asnjëherë, sepse nuk ka arsye që të ndodhë dhe arsyet nuk janë shpjeguar. Duhet të zbatoheshin procedurat normale për të shqyrtuar një problem të një anëtari të grupit të tij. Në rast se kryesia e grupit parlamentar i ka propozuar kryesisë së PD-së një vendim politik, gjë për të cilën ajo ka të drejtë dhe unë s’kam pse ta kritikoj, i takon po kryesisë së grupit parlamentar dhe kryesisë së PD-së që t’i sugjerojë grupit parlamentar këtë vendim politik dhe grupi parlamentar mund të votojë për një anëtar të grupit të vet, i cili mund të largohet ose nuk mund të largohet. Por deri sot nuk më është dhënë e drejta për të shpjeguar qëndrimin tim dhe veprimet e mia në zgjedhjen time si president i BSPSH-së dhe i Këshillit Koordinues. Nuk jam thirrur as në Këshillin Kombëtar të PD-së, në kryesi dhe as në grupin parlamentar.
Unë deklaroj këtu që e konsideroj veten anëtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Nuk kam asnjë problem me këtë grup, as me programin e tij, as me idetë e tij bazë, që të më ndajë. Prandaj do t’i kërkoja grupit, të paktën për respekt, që të mblidhej e të më kushtonte një minutë kohë dhe të diskutonte si sugjerimin tuaj, ashtu dhe sugjerimin e kryesisë lidhur me këtë problem. Mendoj se kjo do të ishte më e mira.
Në të kundërt, i uroj atij punë të mbarë dhe unë do të mundohem të kontribuoj, brenda bindjeve të mia dhe programit të PD, gjatë viteve të kësaj legjislature, duke e konsideruar veten gjithmonë anëtar të këtij grupi dhe duke mbrojtur, pa dyshim, interesat e sindikalizmit, të cilat janë oponencë e ndershme për mbrojtjen e interesave sociale dhe jo opozitë, duke ditur të tregoj veten si deputet dhe duke qenë i bindur se këto që kanë ndodhur, janë keqkuptuar nga një grup i caktuar, i cili ka kohë të shpjegojë veten ndoshta dhe brenda grupit, ka kohë të shpjegojë veten ndoshta edhe brenda partisë për idetë e veta dhe qëllimet e veta.
Ndërsa unë kam pasur kohë të shpjegoj veten për qëndrimet e mia dhe vendimet e mia.
Gjithsesi në këtë Parlament unë do të kontribuoj për mbrojtjen e atyre votave që i kam marrë në emër të PD-së dhe vërtetë do i kërkoja Grupit Parlamentar të PD-së se ka një problem moral.
Në rast se unë nuk do të jem anëtar i Grupit Parlamentar të PD-së, grupi ta shqyrtojë mirë këtë problem, se unë kam ardhur këtu në emër të grupit të PD-së, nuk kam ardhur këtu që të bëj oponencë me grupin tim. Dhe grupi të ma thotë copë: unë ose do jem anëtar i këtij grupi dhe të sqaroj pozicionin tim, ose do të vendosni për një qëndrim tjetër, sepse unë nuk kam ardhur këtu për të bërë rrëmujë as grupin, as PD-në, por kam ardhur për të mbrojtur programin e partisë sime, programin për të cilin kam marrë votat në atë zonë….