Nga dhëndri Malltezi tek Paloka, kandidatët e Berishës për të zëvendësuar Bashën pas tradhtisë

Pa Kategori

Publikuar: 11/09/2021

Nga dhëndri Malltezi tek Paloka, kandidatët e Berishës për të zëvendësuar Bashën pas tradhtisë

Sali Berisha është përbetuar për hakmarrje ndaj Lulzim Bashës, duke e akuzuar këtë të fundit për tradhti në bashkëpunim me amerikanët, Edi Ramën dhe Soros. Pas shpërthimit në akuza, Sali Berisha do të nisë një aksion për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryer i PD. Ka vetëm një formë për ta shkarkuar Bashën; përmes një mocioni mosbesimi në Këshillin Kombëtar të PD.

Këshilli Kombëtar drejtohet nga një i besuar i Berishës, Edi Paloka, i cili u shfaq në krah të tij ditën e djeshme, kur ‘Doktori’ denonconte Bashën para Parlamentit. Por, Berisha nuk kontrollon shumicën në Këshillin Kombëtar.

Në këto kushte, Berisha do të nisë një fushatë lobimi, konsultash dhe mbase edhe pazaresh, për të kthyer në krah të tij shumicën e anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Berisha do të nisë këtë betejë me moton për të çliruar PD-në nga amerikanët dhe Edi Rama.

Sali Berisha nuk ka asnjë plan për të marrë vetë drejtimin e PD-së. Berisha synon të shkarkojë Bashën dhe të vendosë në krye të PD-së një tjetër ushtar të tij.

Po kush mund të jenë kandidatët e Berishës për të zëvendësuar Bashën? Pretendenti kryesor është dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, pjesë e PD, edhe pse Basha i bëri një ‘puç’ së fundmi, duke e përjashtuar me votë për t’u bërë pjesë e Kryesisë së PD-së.

Në planet e Berishës mund të jenë edhe fëmijët e tij, Shkëlzeni dhe Argita. Ata janë përfolur prej vitesh si pasardhës të mundshëm të Berishës në PD. Por, për të mos i dhënë partisë një karakter zyrtarisht familjar, Berisha i besoi partinë Bashës, shokut të Argitës, të cilin tashmë e akuzon për tradhti.

Nuk përjashtohet mundësia që Berisha t’i besojë drejtimin e PD-së, gjithnjë nëse arrin të rrëzojë Bashën, edhe ndonjërit nga deputetët që u pozicionuan kundër vendimit të Bashës për përjashtimin e Berishës.

Edhe pse PD-ja do të rrezikonte të degradonte në mënyrë të paimagjinueshme, Berisha mund t’u besojë drejtimin e partisë Edi Palokës ose Flamur Nokës, besnikë të verbër, fanatikë dhe dallkaukë të Berishës.