Berisha nis lëvizjet për shkarkimin e Bashës, plan për mocion mosbesimi në Këshillin Kombëtar

Pa Kategori

Publikuar: 10/09/2021

Berisha nis lëvizjet për shkarkimin e Bashës, plan për mocion mosbesimi në Këshillin Kombëtar

Vendimi i Lulzim Bashës për të përjashtuar Sali Berishën nga Partia Demokratike nën kërcënimin amerikan, duke se nuk është një lojë. Vendimi, me pasoja të paparashikueshme për Lulzim Bashës, ka zemëruar Sali Berishën dhe familjen e tij. Disa minuta pas deklaratës së Bashës, Sali Berisha e paralajmëroi hapur Bashën se i ka ditët e numëruara në PD.

“Do bëj gjithçka për rikthimin e sovranitetit të PD, për të kthyer ato parime që i shkelmoi sot në mënyrë të paimagjinueshme Basha, dhe pa të cilat forca politike është një fasadë-opozitë. Pa diskutim do të marr çdo aksion për të vendos sovranitetin e PD. Do të krijojë aleancë, do të bashkëpunoj me çdo demokrat që beson se ky vend do të ketë opozitë sovrane, do të ketë PD sovrane”, paralajmëroi Berisha, ndërsa akuzoi Bashën se është korruptuar nga Edi Rama dhe Soros.

Pas këtij mesazhi, rrethi i Berishës në PD është vënë në lëvizje dhe po shqyrton skenarët e mundshëm për shkarkimin e Lulzim Bashës. Skenari më i mundshëm është mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit Kombëtar të PD, për të shkarkuar Bashën përmes një mocioni mosbesimi. Këshilli Kombëtar i PD-së drejtohet nga Edi Paloka, i besuar i Berishës.

Këshilli Kombëtar mblidhet nëse e kërkojnë ¼ e anëtarëve të tij.

Që Basha të shkarkohet, duhet të votojnë kundër tij më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Më pas, ky vendim miratohet nga Kuvendi Kombëtar. Nuk ka dyshim që Berisha kontrollon votat në Këshillin dhe Kuvendin Kombëtar të PD. Ai mund ta shkarkojë Bashën brenda një jave.

Por shkarkimi i Bashës mund të ketë pasoja fatale për Partinë Demokratike, pasi PD-ja mund të përballet me sanksione fatale nga SHBA.