Asambleja e PS-së ishte formatuar sipas modelit të Big Brother, ku drejtuesi i saj, kryesocialisti Edi Rama, shpallte nominimet se cili do të ishte ministër apo sekretar i PS-së dhe anëtar i Kryesisë. Edhe si për koincidencë, Rama e ruajti deri në fund “formatin” e ‘Big Brother’ duke shtuar dozën e emocioneve të forta në sallën e Pallatit të Kongreseve ndërmjet socialistëve për t’i shpallur të besuarit për qeverinë e tij në sekondat e fundit të mbylljes së Asamblesë së PS-së.
Surpriza pati pafund dhe kjo pasi ministrat që u përzgjodhën deklaruan më pas se nuk kishin asnjë informacion se mund të rizgjidheshin sërish, ashtu siç pati edhe në anën tjetër se pati nga ata që mbetën të zhgënjyer.
Tek të zhgënjyerit mund të futen edhe ato që u eliminuan apo u spostuan nga drejtimet i posteve kyçe në parti, i tillë është zhgradimi i Taulant Ballës, duke i lënë vetëm postin e kryetarit të grupit parlamentar të PS-së dhe i hequr atë numrit dy të partisë, të sekretarit të Përgjithshëm. Damian Gjiknuri është tashmë numri dy i PS-së, ku Rama ia propozoi dhe sekretarët që do të kishte në riorganizimin e PS-së, posti i dytë i rëndësishëm është ai i Blendit Klosit, si sekretar Organizativ.
“Besoj se jeni dakord që Sekretarit të Përgjithshëm dhe ekipit të tij t’i japim 100 ditë kohë që të përgatisin të gjithë projektin e ri organizativ në tërësi dhe zë për zë sipas të gjithë fushave dhe pastaj pas 100 ditësh në muajin dhjetor t’i votojmë ose jo këtu në bazë të bindjes që do të na krijojë platforma e tyre për një transformim të ri të Partisë Socialiste”, tha Rama gjatë fjalës së tij.
Në të njëjtën kohë nuk ngurroi që të paralajmëronte ekipin e ri të sekretarëve për besimin që i ka dhënë. “Do të mësohemi edhe me idenë që një vend për të cilin merr besim duhet ta justifikosh në çdo hap, rezultatet e parapara në atë hap për t’i dhënë sa më shumë goditjes së kulturës për shtyrjen e punëve të sotme për nesër”, theksoi kryesocialisti.
Por Rama ofroi një tablo tjetër sa i përket qeverisjes. Gjatë fjalës së tij, ai nuk paraqiti ndonjë platformë qeverisjeje apo program konkret se çfarë synohet përgjatë këtij mandati të tretë dhe që e ai e cilësoi si shumë më të vështirë se sa dy të parët.
Menjëherë ai kërkoi të niste puna për fitimin e mandatit të katërt, pa dhënë ndonjë objektiv të qeverisë së tij, fjala bie për punësimet, për rritjen e të ardhurave të shqiptarëve të rënduar nga pandemia, apo dhe investimet. Ndryshe nga ultimatumet ndaj PS-së, Rama i harroi ato ndaj ministrave të qeverisë së tij! Në çdo vend demokratik çdo qeveria përcakton afatet kryesore se çfarë duhet të bëjë të paktën në 100 ditët e ardhshme për realizimin e objektivave. Kjo nuk u pa në forumin më të lartë të socialistëve që i dha bekimin Ramës për ekipin qeveritar.