Drejtuesit e rinj të PD / Katër emrat që “zhgradohen”

Pa Kategori

Publikuar: 29/08/2021

Drejtuesit e rinj të PD / Katër emrat që “zhgradohen”

Bujar Nishani, Edi Paloka, Edmond Spaho dhe Agron Shehaj. Këta janë katër emrat që pritet të “spostohen” në organet drejtuese në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, që mbahet pasditen e së hënës.

Nishani, që është automatikisht anëtar i Këshillit Kombëtar prej statusit si ish-President nuk do të jetë më kryetar i këtij këshilli. Lulzim Basha pritet që të propozojë emrin e Edi Palokës për këtë postë.

Paloka nga ana tjetër “zhgradohet” nga posti si nënkryetar partie, që deri më tani e mbante së bashku me Edmond Spahon. Sipas propozimit që do të votohet në Këshillin Kombëtar, nënkryetarët jo vetëm do të ndryshojnë, por edhe do të dyfishohen duke u bërë nga dy në katër.

Katër emrat e propozuar janë Enkelejd Alibeaj, Alfred Rushaj, Grida Duma dhe Jorida Tabaku. Veç postit për nënkryetar partie, Alibeaj do të propozohet nga PD edhe për postin e nënkryetarit të Kuvendit. Rushaj nga ana tjetër pritet që të drejtojë grupin parlamentar demokrat, që deri para djegies së mandateve e drejtonte Edmond Spaho.

Burime nga PD thonë se Spaho ka kërkuar që të mbajë vetëm postin e deputetit. Spaho u përplas me Gazment Bardhin gjatë analizës së rezultatit zgjedhor të 25 prillit. Shkak u bë klasifikimi i Korçës si qark që nuk kishte realizuar objektivin maksimal. Në këtë qark, PS fitoi 6 mandate, PD 5. Spaho, që drejtoi fushatën e opozitës në këtë qark e cilësoi metodologjinë e gabuar.

Ndërkohë, Ervin Salianji dhe Luçiano Boçi, ky i fundit i vetmi nga PD që arriti të thyejë herësin në zgjedhjet e 25 prillit do të propozohen për nënkryetarë të grupit. Komisionin parlamentar të arsimit, PD do t’ja besojë Agron Gjekmarkajt, ndërsa atë të shëndetësisë, Albana Vokshit.

Oerd Bylykbashi do të rikthehet te ligjet, Flamur Noka te Siguria Kombëtar, Tomor Alizoti te politika e jashtme dhe Sorina Koti te ekonomia. Kjo e fundit do të zëvendësojë në këtë komision Agron Shehajn, rivali kryesor i Lulzim Bashës në zgjedhjet për kryetar partie, që këtë herë përveç mandatit të deputetit nuk do t’i besohet asnjë detyrë shtesë, si në Kuvend, ashtu edhe brenda partisë.