Prapaskena

Skandali me tenderat në burgje/ KLSH kërkon shkarkimin e Agim Ismailit, pse heshtin institucionet?

Publikuar: 28/08/2021

Një audit i bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve zbuloi shkelje të rënda në fushën e prokurimeve dhe menaxhimit financiar të këtij institucioni.

Shkeljet janë aq të rënda sa KLSH i kërkoi Ministrisë së Drejtësisë shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili dhe të 3 zyrtarëve të tjerë.

KLSH ka zbuluar shkelje në tenderin e ushqimeve dhe ilaçeve te skaduara, konkretisht me vlera 2.349.413 dhe 1.863.910 lekësh, por deri më tani Prokuroria vazhdon të heshtë, pavarësisht se kanë kaluar 20 ditë nga dorëzimi i raportit.

KLSH i kërkon prokurorisë hetimin e çështjes, ndërsa Ministrisë së Drejtësisë, shkarkimin e 4 zyrtarëve dhe ngritjen e një grupi pune për të analizuar shkaqet dhe mangësitë që kanë çuar në këto problematika të këtyre tenderave.

“I rekomandojmë Ministrit të Drejtësisë si institucion epror, referuar shkeljeve të konstatuara në fushën e prokurorimeve publike dhe menaxhimit financiar si dhe përgjegjësive individuale të evidentuara dhe pasqyruar në aktkonstatimet përkatëse dhe pjesës së raportit Përfundimtar të Auditimit, të vlerësojë shkeljet e konstatuara dhe të vendosë marrjen e masave disiplinore “vërejtje deri në largim nga shërbimi civil (Për punonjësit që janë pjesë e shërbimit civil) ose largim nga puna (Për punonjësit që janë punësuar sipas Kodit të Punës), si më poshtë vijon:

1.z.Agim Ismali, Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve në cilësinë e titullarit të AK-së.
2.zj.Avidiana Pali, Drejtor i Financës në cilësinë e Nëpunësit zbatues.
3.z.Ardit Tabaku Drejtor Juridik në cilësinë e anëtarit të KVO.

4.z.Arjan Koçiaj në cilësinë e anëtarit të KVO“, thuhet në dokumentin e KLSH-së.

Por edhe pse raporti u publikua 20 ditë më parë ekzuzivisht nga gazeta SHQIP, nuk ka patur një reagim apo hetim nga prokuroria.

Edhe më parë Ismaili ka qenë i përfolur se në këto lloj tenderimesh ka favorizuar dhe njerëz e afërm të tij, në lidhje nepotike me nipin e tij, që dikur ishte ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme. Kjo aferë u bë fillimisht nga deputeti i opozitës Lefter Maliqi.



Më të lexuarat