Në pritjen e 121 afganëve të parë në Rinas, ishte dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim. Më pas Kim shkroi se ishte krenare që SHBA ka një aleate si Shqipërinë.
“Pritëm grupin e parë të afganëve që janë në kërkim të një strehimi të përkohshëm në Shqipëri. Siç ka bërë gjithmonë, populli shqiptar dhe një herë ofroi mikpritje dhe mbrojtje ndaj kujt ka nevojë më shumë. Jemi krenar t’ju quajmë miq dhe aleatë”, shkroi ambasadorja Kim.
Afganët kanë mbërritur në Shqipëri pak minuta pas orës 03:00 të mëngjesit të së premtes. Mes tyre ka fëmijë dhe gra, por edhe të moshuar.
Shqipëria ishte ndër vendet e para që u angazhua për të strehuar qytetarët afganë të cilët po largohen nga vendi i tyre, pas marrjes së pushtetit nga Talibanët.
kryeministri Edi Rama u shpreh se ky gjest mikpritje na kujton kush ishim dikur e sipas tij na bën nder si vend e si popull. Rama kujton edhe një fjalë të urtë të të parëve tanë: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.
Reagimi i plotë i Ramës: MIRËMËNGJES PA U GDHIRË dhe me këtë episod live mikpritjeje shqiptare, që na kujton kush ishim dikur e na bën nder si vend e si popull, që krenohemi me traditën jo veç me fjalë, ju uroj një ditë të mbarë të gjithëve, duke i uruar së bashku me të gjithë ju mirëseadhjen, në tokën ku ligji i të parëve thotë se shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, edhe 121 fëmijëve, grave e burrave nga Afganistani fatkeq, të cilët braktisën shtëpinë e tokën e tyre, për të shpëtuar jetën.