Prapaskena

Prapaskenat/ Pse u dorëhoq si deputete Najada Çomo

Publikuar: 26/08/2021

Ashtu sikurse e futi edhe tani që po e nxjerr, Edi Rama nuk i rrezistoi dot shfaqes teatrale me Najada Çomon. Gjatë një komunikimi për problemet e shëndetësisë, kryeministri tha dje se shefja e pavionit infektiv i ka kërkuar që të heqë dorë nga mandati i deputetit dhe të vazhdojë punën si mjeke në spital.

Sipas Ramës ajo e kishte përligjur këtë zbrapsje me faktin e shtimit të rasteve me variantin Delta që po e bën Shqipërinë ti afrohet një vale të tretë të pandemisë.

Por, arsyeja që thotë Rama duke iu referuar Çomos ka pak gjasë që të jetë e vërtetë.

E para se si profesioniste edhe Najada Çomo duhet të dinte, atë që di gjithë bota, se beteja me Covid 19, nuk ka përfunduar. Pra në këtë kuptim, që kur pranoi të bëhej deputete duke deklaruar: “kush më mirë se unë mund ta simbolizojë sakrificën e mjekëve në përballjen me armikun e padukshëm”, ajo e dinte që do vinte një kohë që pavioni i saj do mbushej sërish me të sërmurë.

As argumenti se i është kërkuar nga qeveria të kthehet në frontin e betejës me pandeminë nuk qëndron. Nëse do të kishte këtë shqetësim, Rama dhe ekipi i tij do merrnim masa për kontrollet në kufij që janë bërë si hane pa porta, do aplikonin testet dhe rregullat kufizuese për turistët e huaj dhe nga diaspora. Sepse përballimi i sëmundjes nuk bëhet në shtratet e spitaleve, por me synimin që njerëzit mos përfundojnë aty.

Po atëhere pse Najada Çomo bëri një nga ato “dorëheqjet” e detyruara nëpër të cilat kanë kaluar shumë deputetë dhe ish ministra të rilindjes?

Shpjegimi për këtë nuk duhet kërkuar as tek komentet negativiste që shpërthyen në Facebok duke nënvizuar se në këtë moment, pavjoni i Covidit është më fitimprurës sesa salla e parlamentit.

Arsyeja e parë është politike. Ndonëse ajo u caktua në krye të listës zgjedhore të kryeqytetit për të simbolizuar suksesin e Ramës në përballjen me Covid -19, fabula e saj dështoi. Njerëzit që kishin paguar qimet e kokës për të shëruar familjarët, ata që kishin humbur të afërmit, vdekjet e të cilëve u fshehën për të dhënë shifra pesë gjashtë herë më të ulëta se realiteti, nuk e besuan përrallën e këtij suksesi.

Najada Çomo nuk morri dot më shumë sesa 1700 vota ose katër herë më pak sesa deputetja që po e zëvendëson sot, ish ministrja Mimi Kodheli. Pra politikisht fabula e saj ishte një dështim.

Arsyeja e dytë lidhet me të parën. Çomo gjatë gjithë kohës i shërbeu Ramës për propagandën e tij në komitetin e ekspertëve dhe në situatën nga pavjoni i infektivit. Ajo u soll aty si një komisare e partisë dhe jo si një njeri i shkencës. Ajo e lejoi veten të përdoret edhe për replika me kreun e opozitës.

Prandaj nëse Shqipëria kërcënohet nga një valë e re infektimesh, fjalimet e saj do të jenë më të vlefshme nëse mbahen me bluzën e bardhë dhe spitalin në sfond, sesa me kostumin e deputetes në kuvend. Kjo me siguri është edhe arsyeja që Rama i ka kërkuar të heqë dorë nga parlamenti dhe të kthehet pranë stafit të saj mjekësor që e kontrollon me dorë të hekurt.



Më të lexuarat