“Do të pendohesh përjetë…”/ Bosi 74-vjeçar i krimit në Japoni dënohet me varje, kërcënon gjykatësin (FOTO)

Pa Kategori

Publikuar: 25/08/2021

“Do të pendohesh përjetë…”/ Bosi 74-vjeçar i krimit në Japoni dënohet me varje, kërcënon gjykatësin (FOTO)

Kreu i një organizate të fuqishme krimi u dënua me vdekje nga një gjykatë në jugperëndim të Japonisë.

BBC shkruan se gjykata në qytetin e Fukuoka dënoi me varje Nomura Satoru, 74 vjeç, i cili kishte urdhëruar 4 sulme, prej të cilave një kishte përfunduar me vdekje.

Mediat vendase thanë se vendimi erdhi pavarësisht mungesës së provave për përfshirje të drejtpërdrejtë të Numora-s. Vetë ky i fundit mohoi përfshirjen në këto ngjarje.

74-vjeçari besohet të jetë i pari drejtues i mafias japoneze, e njohur si jakuza (yakuza), që dënohet me vdekje në këtë vend.

“Kërkova për një vendim të drejtë… do të pendoheni për këtë përjetë”, i tha Nomura gjykatësit që dha vendimin të martën. 74-vjeçari, i cili drejton sindikatën Kudo-kai, e cila operon në jugperëndim të Japonisë, pritet që ta apelojë vendimin.

Ndonëse prokurorët nuk kishin prova të drejtpërdrejta që tregonin se Nomura kishte urdhëruar sulmet e dhunshme, ata arritën që të bindin gjykatën se autoriteti i tij absolut mbi këtë grup, do të thoshte se përgjegjësia ishte e tij.

Gjatë sulmeve të ndodhura mes 1998-s dhe 2014-s, mbeti i vrarë kreu i shoqërie peshkimi, ndërsa 3 persona të tjerë, mes tyre edhe një oficer policie, mbetën të plagosur.

Grupet e jakuzës nuk janë të jashtëligjshme në Japoni. Analistët thonë se këto banda janë të përfshira në çdo fushë të aktivitetit kriminal në vend, që nga droga tek prostitucioni.