Emisioni “Stop” shkoi në Shijak, pas denoncimit të qytetarëve, të cilët ankohen se Bashkia Shijak shkarkon mbetjet urbane në mënyrë të vazhdueshme në atë, që për shumë vite, është përdorur si vendgrumbullim mbeturinash. Tonelata të tëra mbetjesh pranë varrezave të vjetra tek stadiumi i Shijakut kanë ndotur zonën lumin Erzen e po ashtu kanë “përdhosur” të ndjerët që prehen ngjitur me to. “Stop” bëri një vëzhgim aty dhe pyeti banorët, të cilët pohuan, se bashkia herë pas here shkarkon mbetjet aty, duke ua bërë jetën të padurueshme.
“Me maune i hedhin aty. Nuk i çojnë atje ku e kanë caktuar ata të mëdhenjtë. Këta të bashkisë kanë hall të vjedhin mirë. Kam shkuar unë të ankohem dhe më ka përzënë më ka thënë që ke ardh kot për këtë punë, nuk ka ç’të duhet ty, e di unë. Nuk hap dyer e penxhere se na mbytën natë ditë. Vdiqëm”, tha një banor.
“Ne çunat e rinj jena bërë gati ndonjëherë me shku me rraf ata të komunales. Mbrëmë e bëmë njet me u bërë garrumull me i dhënë shembull një shoferi, kushdo që të jetë, për të zënë mend ata që i nisin. Nuk ka faj shoferi i shkretë, por na bën halli dhe ne. I djegin dhe ku shkon ai tym pastaj?”, tha një banor.
“Ne jemi duke luftuar me sëmundjen. Kemi frikë me njëri tjetrin me u hedh afër se s’po dihet. Armikun e padukshëm, e hëngshin dreqërit se kush e ka hedh, hedhin edhe plehrat dhe thonë ky s’bëhet hiç. I sjellin me makina”, tha një qytetare.
E kundërta thuhet nga ana e bashkisë, dhe nga administratori i firmës së pastrimit, të cilët shprehen, se mjetet ngarkohen aty dhe çohen në Sharrë. Nënkryetari dhe administratori i firmës, premtojnë se mbetjet do të hiqen përfundimisht për disa ditë. Dhe kështu ndodhi.
Gazetari: Unë them kështu: Nëse do ta gjykosh punën e mirë të një bashkie, gjykoje nga mbeturinat, se sa punë bën ajo për sistemimin e tyre…
Nënkryetari: Na lër pak afat, ke shumë të drejtë! Na lër pak afat dhe do vish prapë këtu. Po prapë do flasim bashkë. Mbeturinat i merr firma private dhe i çon në vend depozitim. Nuk është këtu vendgrumbullimi.
Gazetari: Nuk çohen fare këtu, thua?
Nënkryetari: Jo! Nëse i çon ndonjë njeri i paligjshëm…, por që t’i çojë bashkia, jo. Nuk ka shanse!
Gazetari: Do të të tregoj një foto, ose një video të shkurtër. Kjo makina e kujt është?
Nënkryetari: Kjo makina është e bashkisë, e saj, është privat, që mund t’i marrë këto mbeturina, jo që t’i hedhë këtu, që duhet t’i mbledhë kjo. Kjo është e firmës së bashkisë, që ka këtë tender. Po i merr, se nuk ka kuptim që t’i hedhë këtu. Ky pastron qytetin dhe të gjitha këto. Nuk hidhen mbeturina te varrezat. Ai i merr dhe i çon në Sharrë.
Gazetari: Ka mjaftuar vetëm 1 orë vëzhgim dhe neve po na kruhet trupi. Nuk është vetëm ky problem. E kemi kapur në tri aspekte: të ndotjes së zonës së banimit aty, të mosrespektimit të atyre, që janë ndarë nga jeta dhe së treti, në një problem serioz mjedisor, që është lumi Erzen.
Nënkryetari: Nesër, ose pasnesër, do vish prapë këtu në Shijak, nëse do gjesh diçka, atëherë do flasim prapë.
Gazetari: Ato janë me tonelata.
Nënkryetari: Bashkia do marrë masa, edhe firma , edhe bashkia, që ti nëse ke marrë ankesa nga populli, nuk do ketë më.
Administratori i firmës së pastrimit: Ne, mbeturinat, i çojmë në landfildin e Sharrës, sipas VKM-së. I vetmi që i plotëson kushtet, është lanfildi i Sharrës. Ajo pikë aty, se ne tani e kemi marrë tenderin, ka qenë një pikë depozitimi e vjetër, dhe aktualisht, me urdhër të bashkisë, i heqim mbetjet nga aty , gradualisht po i çojmë në Sharrë.
Gazetari: Ky, a është mjeti juaj?
Administratori i firmës së pastrimit: Po, dhe duhet të jetë duke ngarkuar. Mjeti hapet mbrapa, në mënyrë, që të ngarkohet.
Gazetari: Apo të shkarkohet?
Administratori i firmës së pastrimit: Hapet mbrapa, që të ngarkohet. Të gjitha mbeturinat duhet të hiqen!
Gazetari: Si e ka emrin firma?
Administratori i firmës së pastrimit: AMR sh.p.k.
Gazetari: Supozojmë, se është kështu siç thoni ju dhe jo, siç thonë banorët. Morëm një mini premtim edhe nga nënkryetari.
Administratori i firmës së pastrimit: Është po e njëjta fjalë, që po ju them edhe unë.
Gazetari: Këtë desha t’jua përcjell edhe juve, sepse shqetësimi është i banorëve, së pari, pastaj yni, por edhe i një lumi shumë të rëndësishëm. Nëse bota i ruan lumenjtë…
Administratori i firmës së pastrimit: Ne i dëmtojmë. Dua, që bashkia e Shijakut, ju jeni firma kontraktuese, të punoni, në mënyrë, që kur të vijmë mbas 1 jave ose pas disa ditësh, aty të mos ekzistojnë. Kështu që, të lutem shumë, do doja shumë punë!
Administratori i firmës së pastrimit: Do të të jap edhe numrin tim, që në momentin, që unë e kam mbaruar atë punë, do të të nis foto, të të them eja, bëj edhe një reportazh!
Zona u pastrua, por banorët thanë, se fenomeni vijon. Emisioni “Stop” u sigurua që të fliste administratorin e kësaj firme.
Administratori: Pothuajse jemi në fund të marrëveshjes sonë. Të të çoj një video të filmimit, që kam bërë para dy ditësh aty, ta shohësh!
Gazetari: Nga informacionet që kemi pasur nga banorë të zonës ata thonë që mbeturinat u hoqën, por vazhdohet akoma që të kryhet aktiviteti i firmës suaj që ju depozitoni akoma pirgje të mëdha.
Administratori: Faktikisht, po vazhdojmë të pastrojmë, se ka akoma pirgje, gërmohet, sepse kanë qenë plehra shumë të vjetra dhe po i pastrojmë të gjitha. Janë pirgje të vjetra.
Gazetari: Po thua që nuk ka pirgje të reja që hidhen, por janë pirgje të vjetra që hiqen.
Administratori: Për tri-katër ditë dhe është gjithçka në zero. Madje, kam menduar, që të mbjellim edhe disa pemë.