Thellë në Kinën rurale, minatorët e bitcoin kanë ndaluar punën. Një kufizim qeveritar e ka detyruar shumicën të braktisë aktivitetin
Në malet Hengduan të provincës Sichuan, lumenjtë e fryrë ngjyrë kafe dhe pemët e mëdha me mango të pjekura, nuk të japin aspak përshtypjen e një atmosfere dixhitale. E megjithatë, deri vonë, këtu kishte ndërtesa me kompjuterë të specializuar, shkruan The Economist.
Ato shpesh ndërtoheshin pranë hidrocentraleve që i furnizonin me energji elektrike nga digat. Këto qendra kishin nevojë për shumë energji.
Makineritë e tyre përdoreshin për “minim”, një proces që përfshin vërtetimin e transaksioneve të kryera në bitcoin dhe në monedha të tjera dixhitale, duke zgjidhur enigma kriptografike. Në këmbim, ato merrnin monedha të prera rishtas. Ndërtesat ishin lehtësisht të dallueshme nga sistemet e tyre të mëdha të ftohjes: zakonisht një mur në njërën anë i mbuluar nga ventilatorë gjigantë për të tërhequr ajrin.
Por anembanë provincës Sichuan, ventilatorët i kanë ndaluar tashmë rrotullimet. Në maj, një komitet qeveritar i ngarkuar me promovimin e stabilitetit financiar, u zotua të ndalonte minierat e bitcoin. Brenda disa javësh, autoritetet në katër rajonet kryesore për nxjerrjen e monedhave bitcoin – Mongolia e Brendshme, Sichuan, Xinjiang dhe Yunnan – urdhëruan mbylljen e projekteve lokale.
Banorët e Mongolisë së Brendshme u nxitën të telefononin një linjë për të raportuar këdo që shkelte ndalimin. Në disa pjesë të Sichuan, minatorët u urdhëruan të pastronin kompjuterët dhe të shkatërronin brenda natës ndërtesat që i mbanin ato. Furnizuesit e energjisë ndërprenë elektricitetin në shumicën e tyre.
Kjo ndërhyrje ka pasur ndikim global. “Shkalla hash” e Bitcoin, një matës i fuqisë llogaritëse që përdoret nga makineritë e bitcoin në të gjithë botën, është përgjysmuar në javët e fundit. “Shkalla e vështirësisë” së saj, e cila rritet dhe bie kur kompjuterët bashkohen ose largohen nga përpjekjet e “minimit” të monedhave bitcoin, javën e kaluar ra në një minimum rekord.
Kina llogariste rreth 65% të monedhave bitcoin të fituara përmes minimit, sipas Indeksit të Konsumit të Energjisë Elektrike në Cambridge. Por analistët mendojnë se rreth 90% e procesit të saj të minimit, tani ka ndaluar. Minatorët kinezë po shesin kompjuterët me gjysmën e vlerës reale.
Bumi i minierave bitcoin në Kinë, nisi në vitin 2017, pasi një rritje e çmimeve të bitcoin tërhoqi vëmendjen e sipërmarrësve vendas. Vendi po prodhonte shumicën e makinerive që nxjerrin Bitcoin globalisht, si dhe çipsat me të cilat funksionojnë këto makineri. Kina gjithashtu kishte kapacitetin për të prodhuar më shumë energji sesa duhej. Në vitin 2018, kjo tepricë arriti në 70 teravat/orë (twh), ekuivalente me prodhimin total të energjisë në Zvicër. Për të mos e lënë energjinë të shkonte dëm, uzinat ua shisnin atë minierave të bitcoin. Stinët përcaktonin se ku duhej të funksiononin këto miniera.
Pas përfundimit të shirave të verës në Sichuan, kur çmimet rriteshin, minatorët i çonin makineritë e tyre diku afër një burimi më të lirë, zakonisht tek termocentralet me qymyr mijëra kilometra larg, në Xinjiang dhe Mongolinë e Brendshme. (Energjia nga dielli dhe energjia nga era nuk janë mjaft të besueshme për të furnizuar minierat bitcoin pa ndërprerje).
Në vitin 2017, Kina, nga frika se mos humbiste kontrollin financiar, ndaloi tregtinë e kriptomonedhave. Por qeveritë lokale ende i mirëpritën minatorët e bitcoin: në fund të fundit, ata ishin një burim i mirë taksash dhe përfitimesh të tjera. Në qershor, një zonë e drejtuar nga shteti në Ya’an, një qytet në Sichuan, ishte caktuar që të hapej në kohë për fillimin e sezonit të shirave.
Ajo ofronte energji të lirë për minierat e bitcoin dhe veprimtari të tjera dixhitale. “Ishte një fitore e madhe”, thotë Kirk Su, një minator i cili kishte planifikuar të vendoste disa nga makineritë e tij bitcoin në atë zonë. “Kina ishte udhëheqëse në minierat bitcoin në të gjitha aspektet: energji e lirë, fuqi punëtore e lirë, qasje e shpejtë dhe e lehtë në pajisje”, thotë ai.
Por pastaj erdhi shtypja qeveritare. Ajo shënjestronte pjesërisht tregtarët e kriptovalutave. Vetë industria e minimit të monedhave bitcoin nuk ka shumë lidhje me biznesin e paqëndrueshëm të tregtisë. Por minatorët nuk mund të operojnë pa shndërruar monedhat e tyre të reja bitcoin në monedhën kineze juan. Për këtë, ata përdornin shkëmbime të cilat ishin zhvendosur jashtë shtetit pas ndalimit të tregtisë, por që gjithsesi kishin si objektiv përdoruesit kinezë.
Qeveria mund të ketë vendosur që, për të hequr qafe transaksionet e kriptomonedhave, “minierat e bitcoin duhet të asgjësohen”, thotë Bobby Lee, i cili bashkëthemeloi shkëmbimin e parë të kriptomonedhave në Kinë (projekti u detyrua të mbyllej në vitin 2017). Ai tani drejton Ballet, një aplikacion që i lejon përdoruesit të menaxhojnë monedhën e tyre dixhitale.
Një qëllim tjetër mund të ketë qenë ulja e emetimeve të gazrave. Të dhënat nga Cambridge tregojnë se minatorët kinezë të monedhave bitcoin, përdorën rreth 83 twh energji elektrike në vit, një shifër e afërt me konsumin e përgjithshëm të energjisë në Belgjikë. (Megjithatë,
Kina mund të kishte zgjedhur të ndalonte minierat vetëm në veriun e vendit që përdor qymyrin për energji, thotë zoti Lee.) Zyrtarët mund të jenë shqetësuar gjithashtu për komplote të mundshme midis qeverive lokale dhe veprimtarive të minimit, disa prej të cilave kishin marrë subvencione të destinuara për firma të mëdha inovative të të dhënave.
Qeveria qendrore tha se donte të “parandalonte me vendosmëri transmetimin e rreziqeve të nivelit individual në shoqërinë e gjerë”. Kjo, pjesërisht, mund të ketë qenë një referencë për aktivitetet e disa minierave të bitcoin që kishin krijuar skema të ngjashme me skemën e mashtrimit Ponzi, duke premtuar kthime të mëdha fitimesh për investitorët. Mashtrues të tjerë janë maskuar si tregtarë të kriptomonedhave. Vitin e kaluar, mbi 100 njerëz u arrestuan për drejtimin e dy operacioneve të tilla, PlusToken dhe WoToken.
Për të shmangur goditjen qeveritare, minatorët e mëdhenj të bitcoin i kanë dërguar makineritë e tyre jashtë shtetit. Zoti Su, i cili gjithashtu drejton një biznes të logjistikës që transporton makineri minimi, ka rezervuar me shpejtësi fluturime charter me Boeing 747 për t’i larguar ato nga vendi. Shumica po zhvendosen në Rusi dhe Kazakistan, të cilët së bashku përbëjnë rreth 13% të minierave të bitcoin në botë.
Ka disa qendra të dhënash jashtë vendit me hapësirë për shumë makineri të reja, përfshirë Amerikën, minatorin e dytë më të madh të monedhave bitcoin. Por ndërtimi i një qendre të tillë atje, kushton pesë deri në dhjetë herë më shumë se në Kinë, thotë zoti Su. Kjo është shumë për minatorët kinezë të bitcoin. Më tepër se gjysma e kompjuterëve të tyre do të qëndrojnë aty ku janë, të paktën tani për tani, thotë ai.
Disa minatorë më të vegjël janë ende duke kërkuar mënyra sesi të veprojnë. Njëri thotë se është me fat që është bashkuar me një hidrocentral privat, i cili nuk ka pranuar të heqë dorë nga të ardhurat shtesë që gjeneron bitcoin (por që rrezikon të gjobitet nga rrjeti ose të nxirret jashtë tij).
Minatori kinez bëri një marrëveshje për të blerë një qendër nga një minator tjetër për 5 milionë juanë (770,000 dollarë), furnizuar nga një fabrikë tjetër që është jashtë rrjetit. Nëse makineritë e tij mund të funksionojnë atje për 15 ditë, ai do të ketë nxjerrë fitimin nga investimi në bitcoin.
Në një shkollë të braktisur në jug të qytetit Sichuan, zoti Su ka ruajtur 10,000 makineri bitcoin të marra nga disa prej qendrave të tij të mbyllura. Për çdo ditë që kalojnë aty, pa funksionuar dhe të varura në tavan, ai thotë se humbet një fitim të mundshëm prej 1 milion juanë.