Një ditë pasi agjencia e lajmeve Reuters publikoi lajmin se presidenca amerikane e Biden është në bisedime me Shqipërinë dhe Kosovën për të strehuar refugjatë afganë, burime diplomatike i thanë gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu se kjo çështje për herë të parë është diskutuar në parim, nga NATO mes vendeve anëtare kur u diskutua tërheqja e trupave nga Afganistani.
Në atë takim është ngritur edhe shqetësimi për të ardhmen e përkthyesve dhe atyre që kanë ndihmuar koalicionin ushtarak anti-Taliban udhëhequr nga amerikanët në këto 20 vite
Të njëjtat burime pohojnë se për momentin nuk ka bisedime aktive mes Shqipërisë dhe SHBA për strehimin e refugjatëve afgan në vendin tonë.
Megjithatë nëse NATO ku Shqipëria është anëtare kërkon një ndihmë të tillë, mendohet se nuk do të mungojë kontributi Shqipërisë në këtë çështje me karakter humanitar.
Deri këto momente Top Channel nuk ka ende reagimin kërkuar qeverisë nëse ka patur një kërkesë amerikane ndaj Shqipërisë për të strehuar përkohësisht përkthyes apo personel vendas afgan që për dekada ndihmoi në operacionet ushtarake të NATO-s dhe vendeve aleate.
Agjencia Reuters citon dy burime t’i kenë thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës stimuj ekonomikë dhe politikë në shkëmbim të pranimit te disa mijëra afganëve. Por, diplomatët amerikanë kanë thënë se Uashingtoni ka shqetësime lidhur me aftësinë e Kosovës për të strehuar afganët.
As qeveria e Kosovës, as e Shqipërisë nuk pranuan t’i përgjigjeshin interesimit të Zërit të Amerikës për konfirmimin e këtyre njoftimeve.
Ndërsa talebanët po shtrijnë kontrollin e tyre mbi Afganistanin me një shpejtësi tronditëse, Shtetet e Bashkuara thanë të enjten se do të dërgojnë 1 mijë veta në Katar për të përshpejtuar përpunimin e aplikimeve për Vizat e Posaçme të Imigrimit (SIV). Afganët që shërbyen si përkthyes për qeverinë amerikane dhe në punë të tjera kanë të drejtë të aplikojnë për këtë program.
Administrata e presidentit Biden po shqyrtonte mundësitë që Kazakistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani të merrnin mijëra aplikantë, por këto përpjekje kanë shënuar pak përparim.
Një marrëveshje për strehimin e rreth 8 mijë afganëve në Katar, ku ndodhet një bazë e madhe ushtarake amerikane, është arritur tash e disa javë, tha një tjetër zyrtar amerikan dhe një person tjetër i njohur me këtë çështje, por një marrëveshje zyrtare ende nuk është shpallur.
Zyrtarët paralajmërojnë se ritmi i çdo marrëveshjeje të mundshme mund të pengohet nga situata në Afganistan që po ndryshon me shpejtësi.
Kryengritësit kanë marrë rreth gjysmën e 34 kryeqyteteve të provincave të vendit ditët e fundit. Këtu përfshihen qyteti i dytë dhe i tretë më i madh në vend, Herati dhe Kandahari. Talebanët tani kontrollojnë më shumë se dy të tretat e Afganistanit vetëm disa javë para se Shtetet e Bashkuara të përfundojnë tërheqjen e trupave të saj të fundit.
Ngurrimi i disa vendeve ka bërë që administrata të apelojë tek të tjerët që mund të jenë të gatshëm të ndihmojnë nëse Uashingtoni ofron mbështetje, thanë zyrtarët.