Alaudin Malaj shet ilaçe, Rovena Gashi ‘merr në punë’ Adriatik Llallën, Gjin Gjoni dhe Ariana Fullani rikthehen në avokatë miliarderë

Pa Kategori

Publikuar: 12/08/2021

Alaudin Malaj shet ilaçe, Rovena Gashi  ‘merr në punë’ Adriatik Llallën, Gjin Gjoni dhe Ariana Fullani rikthehen në avokatë miliarderë
Jo, mos u çudisni aspak. Mos u çuditni kur  gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga drejtësia si të korruptuar apo që ia kanë mbathur nga frika e Vetingut, të nisin të marrin tendera dhe leje ndërtimi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kërkojnë dënimin dhe konfiskimin e pasurive të tyre, si kusht për integrimin e Shqipërisë në BE, por gjyqtarët dhe prokurorët që i përlau Vetingu tashmë kanë hapur bizneset e tyre ose më saktë kanë rimarrë bizneset, të cilët i kishin kaluar formalisht në emër të familjarëve kur bënin kërdinë në drejtësi me çekiçin e aferave në dorë.

 

Ish-gjyqtari i Apelit në Tiranë, Alaudin Malaj, një nga gjyqtarët më të pasur dhe me dosje për pasuri miliona euro krijuar me para të pista, ia mbathi nga drejtësia vitin e kaluar sapo iu ngushtua laku i Vetingut.

Disa ditë pasi u largua nga drejtësia, Alaudin Malaj themeloi kompaninë ‘ALDEN MEDICAL’, me objekt tregtimin me pakice të mjeteve medicinale, produkteve farmaceutike, blerjen dhe dhenien me qira te pajisjeve spitalore, për ndërtim rrugësh dhe objektesh etj.

Në nëntor 2020, Malaj ka krijuar një tjetër kompani ‘The A investment’ me objekt të ngjashëm. Deri më tani, Malaj nuk ka marrë ndonjë tender me asnjërën nga kompanitë, por në vijim nuk përjashtohet mundësia që të depërtojë në fushën e tenderave, edhe pse kompaninë e parë ‘ALDEN MEDICAL’ e ka pezulluar përkohësisht.

Gjithashtu, pas dorëheqjes si gjyqtar Malaj, i ka marrë bashkëshortes së tij kompaninë e ndërtimit ‘RIGERS KONSTRUKSION’.

Kompania, të cilën Malaj e kishte kaluar me letra në emër të gruas, është pjesë e dosjes së zezë që ILDKPK përgatiti për Malaj vite më parë, por që ish gjyqtari i shpëtoi lehtësisht ndëshkimit.

Të njëjtën rrugë ka ndjekur edhe ish prokurorja Rovena Gashi, e shkarkuar nga Vetingu si e korruptuar në vitin 2019, pasi bashkë me babanë e saj nuk justifikonte një pasuri me vlerë mbi  900 mijë USD.

Ndërsa burri i saj, Dritan Gina, vijon të shtyjë ditët e fundit si prokuror në Tiranë, duke u vendosur gjoba biznesmenëve me dosje të sajuara dhe duke shtyrë Vetingun me anë të manovrave me avokatin e tij Eno Bushi, Rovena Gashi është kthyer në avokate, edhe pse ligji nuk e lejon.

Shumë pak të dhëna ka sa i takon aktivitetit të Gashit si avokate, por në rrethet e gjyqësorit përflitet se ajo vijon të asistohet nga ish shefi i saj, Adriatik Llalla.

Rovena Gashi është cilësuar si krahu i djathtë i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili është futur në listën e zezë nga SHBA për mbrojtjen e korrupsionit të Sali Berishës dhe Ilir Metës, si dhe është dënuar me dy vite burg.

Kur ishte kryeprokuror, Llalla e emëroi Gashin në krye të Njësisë për Dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme dhe drejtore për marrëdhëniet me jashtë.

Në media është përfolur shumë për një raport më shumë se profesional mes Llallës dhe Gashit, por deri më sot nuk ka prova për këtë, pasi është edhe një fushë e vështirë për prova.

Megjithatë, është fakt se për shkak të Llallës, ngjiti shkallët e karrierës jo vetëm Rovena Gashi, por edhe burri i saj, Dritan Gina, i cili nga një prokuror anonim, Llalla e bëri kryeprokuror të Elbasanit.

Për Ginën ka një raport të zi nga shërbimet sekrete si i korruptuar dhe i kapur nga krimi. Gina ka arritur të shtyjë deri në shtator shkarkimin e sigurt.

Gjin Gjoni dhe Arjana Fullani janë emblema e drejtësisë së korruptuar që ngritën Ilir Meta dhe Sali Berisha. Që të dy ia mbathën nga drejtësia për shkak të frikës nga Vetingu.

Është befasues fakti se si SPAK, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga SHBA-BE, nuk ka sekuestruar ende pasurinë e Gjin Gjonit dhe të Arjana Fullanit, e cila është edhe bashkëshortja e Ardian Fullanit, guvernatori i Berishës dhe Metës në krye të Bankës së Shqipërisë, i arrestuar në vitin 2014 për vjedhjen e thesarit.

Gjin Gjoni dhe Arjana Fullani, pasi ikën nga drejtësia, kanë hapur studio avokatie. Në dokumentacion, Gjin Gjoni deklaron se banon në vilën numër 69, në kompleksin e pasanikëve Rolling Hills, pikërisht në Farkë të Tiranës.

Në vitin 2014, ILDKP kallëzoi Gjin Gjonin në prokurori për pastrim parash, mashtrim me pasurinë, falsifikim dokumentesh, fshehje pasurie etj.

Deri në vitin 2014, Gjin Gjoni kishte një pasuri të paligjshme me vlerë mbi 2 milionë euro, pa llogaritur pasuritë e tjera që mund të ketë kamufluar.

ILDKPKI e akuzonte gjyqtarin Gjin Gjoni se nuk mbulonte me para të ligjshme edhe blerjen e një rezidence me vlerë 700 mijë euro në Farkë, tek zona e pasanikëve, pasi siç dihet Gjin Gjoni ka hyrë në drejtësi me zero pasuri.

Prokuroria e mori në pyetje Gjin Gjonin, për këtë pronë. Gjyqtari e sabotoi hetimin e prokurorisë me procedura, ndërsa për vilën ka deklaruar se e ka zgjidhur kontratën e blerjes, pasi nuk e përballonte dot dhe se nuk i pëlqente çmimi.

Por, tashmë Gjin Gjoni deklaron se vila është e tij dhe se ka mashtruar prokurorinë në atë kohë./Pamfleti