Prapaskena

Serbja që po sfidon Gjakovën

Publikuar: 06/08/2021

Kur Dragica Gashiq deshi të blinte ushqime në një dyqan lokal, pronari shqiptar nuk e la të hynte. Krimi i saj? Të qenit e para dhe e vetmja serbe e kthyer në këtë qytetet kosovar (Gjakovë), i cili ende mbart plagët e një konflikti të vjetër disa dekada.

Mbi 20 vjet më parë, Gashiqi dhe dy djemtë e saj të ri ishin në mesin e mijëra serbëve që ikën nga Kosova pas një konflikti të përgjakshëm mes forcave serbe dhe luftëtarëve shqiptarë pro-pavarësisë.

Pasi armët pushuan, rreth 13,000 serbë gradualisht u kthyen në shtëpitë e tyre stërgjyshore në disa enklava, por asnjë nuk u kthye në Gjakovë, raporton AFP.

Por kjo ishte deri në qershor, kur 59-vjeçarja Gashiq, e cila punonte si pastruese gjatë qëndrimit të saj në Serbi, vendosi se ishte koha për të shkuar në shtëpi. “Gjithë jetën kam menduar dhe kam ëndërruar për banesën time dhe kthimin në Gjakovë … Unë linda dy fëmijë këtu, kam kaluar vitet më të mira të jetës sime këtu”, tha Gashiqi për AFP-në, ndërsa ishte ulur brenda një banese të zbrazët ku kishte një kuti kartoni që shërbente si një tryezë e përkohshme.

“Isha e lumtur këtu, duke jetuar së bashku me fqinjët dhe kolegët e mi shqiptarë. Pastaj erdhi lufta dhe gjithçka shkoi përmbys”. Kthimi i saj bëri bujë në qytet.

Gjakova është ende duke shëruar plagët e mbetura pas luftës së viteve 98-99. Qyteti me rreth 40,000 banorë u shkatërrua nga forcat serbe, duke vuajtur “dhunën më të madhe të kryer kundër civilëve të të gjitha qyteteve kryesore në Kosovë”, sipas “Human Rights Watch” (HRW).

Rreth 1,500 banorë lokalë u vranë – rreth 12 për qind e numrit të përgjithshëm të viktimave gjatë konfliktit në Kosovë. Rreth 200 banorë të qytetit janë ende të regjistruar si të zhdukur.

Mizoritë përfshinin masakrën e 20 njerëzve në një shtëpi të vetme, të moshave midis dy dhe 73 vjeç, sipas HRW.

Të mbijetuarit thanë se pjesëtarët lokalë të komunitetit serb ndihmuan forcat serbe në kryerjen e masakrës. Kosova me shumicë etnike shqiptare shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia në 2008, një veprim ende i panjohur nga Beogradi dhe aleatët e tij Kina dhe Rusia. Pavarësia e Kosovës është njohur nga rreth 100 vende.

Serbja që po sfidon Gjakovën

Armiqësi e vazhdueshme

Gashiqi ishte përballur me armiqësi të vazhdueshme nga fqinjët. Ata e shajnë atë në rrugë, i hedhin gurë ballkonit të saj dhe i godasin pa pushim derën e saj kryesore, thotë ajo.

Ushqimi dhe ilaçet e saj për diabetin u vodhën gjatë një plaçkitjeje në shtëpinë e saj. Policia, e cila tani po siguron mbrojtje gjatë gjithë kohës në shtëpinë e saj, ka arrestuar një të dyshuar, transmeton Zeri.info.

Gazetarët e AFP-së ishin dëshmitarë të incidentit në dyqanin ushqimor, kur pronari e ndaloi atë të hynte. “Klientët filluan të më bojkotojnë për shkakun tënd!” i tha burri Gashiqit. Fqinjët e bënë të qartë se nuk duan që Gashiqi të jetojë atje.

“Çdo serb që kthehet është kriminel, sepse secili ka kryer krime”, i tha AFP-së Avni Ajdini, 46 vjeç, i cili punon si roje sigurie në bankë.

“Duart e saj janë gjithashtu të pista”, tha Ferdonije Qerkezi, 68 vjeçe, burri dhe katër djemtë e së cilës u vranë nga forcat serbe.

Ajo dhe të tjerët thonë se Gashiqi “punoi për Ministrinë e Brendshme”. Por Gashiqi tha se ajo thjesht punonte si pastruese në stacionin policor lokal. “E di që nuk i kam bërë dëm askujt”, tha ajo. “Unë e kuptoj pse ata nuk duan të më shohin, jam serbe! … Lufta i mbushi të gjithë me zemërim dhe krijoi kaos”.

Organizatat joqeveritare lokale të cilat dolën nga konflikti kanë kërkuar nga autoritetet “dëbimin” e Gashiqit nga qyteti. “Gjakova nuk është gati të mirëpresë kthimin e serbëve derisa të dorëzohen eshtrat e fundit të të dashurve tanë”, thanë 11 OJQ në një deklaratë të përbashkët.

“Asnjë serb i pafajshëm”

Nusrete Kumnova, anëtare e një shoqate lokale për familjet e personave të zhdukur, tha se serbët nuk duhet të lejohen të kthehen pasi “plagët janë ende të hapura”.

“Nuk ka asnjë serb të pafajshëm”, tha Kumnova për AFP-në me një shprehje të zbrazët, teksa shikimin e kishte lidhur me një fotografi të djalit të saj Albionit, një nga ata që ende janë të zhdukur. Kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini ka kërkuar të minimizojë tensionin, me zgjedhjet komunale në prag. Ai u tha mediave lokale se “nuk kishte nevojë të politizohej kjo në ekstrem”.

Komuna ngriti padi ndaj saj duke i kërkuar gjykatës ta dëbojë atë për shkak të mospagimit të qirasë që nga viti 1997. Beogradi e përshkroi sjelljen e zyrtarëve lokalë si “persekutim sistematik”. Avokati i njohur Arianit Koci, një nga figurat e pakta të njohura në Kosovë që ka shprehur mbështetje për Gashiqin, tha se ndërsa askush nuk mund të kundërshtojë krimet “monstruoze” të forcave serbe të kryera në Gjakovë, “gruaja serbe nuk duhet të dëbohet”.

“Ajo nuk është kërcënim për askënd”, shkroi Koci në “Facebook”. Gashiqi thotë se ajo nuk e ka ndërmend të largohet. “Nuk do të kthehem në Serbi. Kjo është e imja, nuk e kam marrë nga askush. Unë jam në banesën time. Unë do të duroj gjithçka”. “Vetëm të vdekur mund të më kthejnë”.



Më të lexuarat