Yuri Kim ultimatum Bashës: Sali Berisha të përjashtohet nga Parlamenti

Pa Kategori

Publikuar: 30/07/2021

Yuri Kim ultimatum Bashës: Sali Berisha të përjashtohet nga Parlamenti

Pas përfshirjes në listën e zezë për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë, SHBA nisin betejën për përjashtimin e Sali Berishës nga Parlamenti.

Ky mesazh i qartë i është dhënë sot Bashës sy më sy nga ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim në takim që zhvilluan për rreth një orë e gjysmë në selinë blu.

Diplomatja amerikane i ka kërkuar Lulzim Bashës që të distancohet nga Sali Berisha dhe këtë mesazh ndonëse e artikuloi në gjuhën angleze, e ka thënë në mënyrën më ‘shqiptarçe’, duke iu referuar një shprehje të periudhës së komunizmit.

“Një parti nuk mund të ‘hajë bar’ për hir të një deputeti”, tha sot Kim, referuar shprehjes së thënë në komunizëm “edhe bar do hamë dhe nuk do i përkulemi armikut”.

Ambasadorja e SHBA tha se PD ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga diktatura, nga komunizmi dhe se do ishte ironi historike dhe po aq tragjike nëse “partia do duhej të hante bar” për hir të një deputeti të saj, duke iu referuar ish-kryeministrit Sali Berisha i shpallur “Non Grata” nga DASH.

“Pata një diskutim shumë të mirë dhe të plotë me Kryetarin e PD Lulzim Basha sot. Ishte në vijim të takimit që ai pati kur Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit Phil Reeker ishte në Tiranë. Folëm për forcën e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, rolin shumë të rëndësishëm që Partia Demokratike ka luajtur në vendosjen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri si dhe rëndësinë që ka që Shqipëria të qëndrojë në rrugën e saj drejt Europës.

Nuk ka dyshim për rolin historik që Partia Demokratike ka luajtur, është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm dhe, në këtë kuptim është lajm shumë i mirë që PD do të rikthehet në parlament në shtator.

Kuptoj që PD dhe të tjerë kanë shqetësime në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit dhe të gjithë e dimë që ato shqetësime janë pasqyruar në raportin përfundimtar të nxjerrë nga ODIHR. Do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e nevojshme që institucionet përkatëse t’i trajtojnë ato shqetësime në mënyrë kuptimplotë dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin këto përpjekje për të përmirësuar në mënyrë konstante zgjedhjet dhe demokracinë në Shqipëri.

Teksa PD kthehet në parlament, do të jetë shumë e rëndësishme që partia në pushtet, PS, të tregojë se është serioze për t’u ngritur mbi interesat partiake për hir të vendit.

Do të doja të theksoja gjithashtu përgjegjësinë që kanë kryertarët e partive për t’u siguruar që kur të hyjnë në atë parliament, të shoqërohen nga anëtarë që janë të denjë për të përfaqësuar Shqipërinë. Do të jetë veçanërisht e rëndësishme që edhe PD t’i mendojë këto çështje.

Siç e përmenda më parë, Partia Demokratike ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm, për ta nxjerrë këtë vend nga komunizmi, për ta çliruar nga diktatura.

Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu.

Shpresa jonë është që partitë do të ecin përpara, që ky vend do të ecë përpara, që bashkëpunimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë të ecë përpara.

E ardhmja po pret. Ka vendime të vështira përpara për të gjithë. Shpresoj që të gjithë të mund të pushojnë mirë gjatë gushtit, por shpresoj edhe që kur të kthehen të freskët dhe të ripërtërirë në vendosmërinë e tyre për të zgjedhur të ardhmen kundrejt të kaluarës”, tha Kim.