Resorti “MAI-TAI” me sipërfaqe 2300 m2 në Farkë, figuron në pronësi të ish-krye-prokurorit të Tiranës, Petrit Fusha; por “de facto”, 70% është e vëllait të tij Sulejman Fusha, aktualisht i burgosur në Spanjë, si drejtues i një grupi kriminal trafiku ndërkombëtar kokaine.Klientë të përhershëm “VIP”, në këtë resort të ndërtuar me miliona droge e korrupsioni, janë dhe zyrtarë të SPAK, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithëshme e të Policisë.
Shkojnë për bankete kolektive e festa personale, por dhe për kafe çlodhëse, dreka e darka me miq, ose të “ftuar nderi” prej ish-kolegut të tyre Petrit Fusha, administrator i këtij resorti.
Nuk themi, pse shefa e zyrtarë të drejtësisë së re dhe kokat e policisë, po frekuentojnë resorte me restorante, mjedise, bar kafe, palestra, suana, pishina e hotele luksoze.
Por sepse ligji për integritetin, i detyron të mos frekuentojnë mjedise të krijuara me burime financiare krimi; të mos kenë kontakte fizike e në forma të tjera, me persona apo grupe nën hetim, të dënuar, të skeduar për aktivitete kriminale e që kanë lidhje familjare me ta.
Resort “MAI-TAI” i Petrit Fushës, është provuar dhe nga dosja hetimore e “Veting”, nga ILDKP dhe Raporti Nr. 1404, datë 21.02.2019 i Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar; se është ndërtuar me miliona korrupsioni, të siguruara gjatë detyrës së tij si krye-prokuror i Tiranës.
Policia dhe SPAK e dinë, se ky resort gjigand e lukzos, nuk është ndërtuar me kursimet e tij nga paga apo me borxhe, që Petrit Fusha deklaron se i ka marrë motrës e kushërinjve.
Por sipas skedës së OFL dhe dosjes hetimore që kanë Drejtoria e Anti-Krimit e Anti-Trafikut, të çuara në SPAK qysh në muajin maj 2020; rezulton se Resort “MAI-TAI”, si tokë e investim në masën 70%, është ndërtuar me milionat e kokainës që ka sjellë vëllai i tij Sulejman Fusha, ende në burgun “Centro Pontanciario” të Villena Alicante-Spanjë.
Për këto pasuri të paligjshme, me burim trafikun e kokainës nga vëllai dhe korrupsionin e tij gjatë detyrës, ish-prokurori Petrit Fusha dha dorëheqjen nga detyra dhe u vetë-shporr nga sistemi i drejtësisë, para se të paraqitej në proces “Veting”-u.
Sipas përllogaritjes që ka bërë ILDKP, tatimet, hipoteka dhe komisioni i “Veting”-ut për pasuritë e deklaruara prej tij; rezulton se ish-prokurori Petrit Fusha ka afro 2 milionë Euro pasuri të luajtshme, të paluajtshme e depozita bankare.
SPAK e di, që kaq pasuri nuk sigurohen vetëm me pagë mujore, me dieta, shpërblime e shitje perimesh, siç ka deklaruar Petrit Fusha; por me të miliona krimesh e ryshfete nga eksponentë krimi e korrupsioni për mbyllje dosjesh.
Referuar raportit të “Veting”, Petrit Fusha nuk ka filluar hetim, ka zhdukur provat dhe pushuar 324 çështje korrupsioni e krimesh të rënda, mes tyre 53 për krime njerëzore; ku është dhe dosja e vrasjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në biznesin e plehrave të Erjon Veliajt.
Dosja e “Veting” për pasuritë deklaruara e të pa deklaruara, por të zbuluara që ka Petrit Fusha; prej 15 muajsh është në Prokurori e SPAK, me akuzën “Pasuri të paligjshme, vënë me shpërdorim detyre, nga veprimtari kriminale e fshehje me investime dhe shit-blerje pronash”.
Mirëpo shefat dhe zyrtarët e drejtësisë së re me në krye SPAK-un, në vend të shkojnë te resort-rezidenca mafioze “MAI-TAI” e Petrit fushës, për ta arrestuar e sekuestruar, shkojnë si klientë për të festuar, për t’u argëtuar e relaksuar; ndërsa miku i tij Ilir Meta, më 25 prill i kandidoi djalin për deputet të LSI./Pamfleti