Prapaskena

Bilushi i Metës sqaron problemin e drejtoreshës së Ngrohjes Globale

Publikuar: 25/07/2021

Pas debatit që ka plasur rreth detyrës që ka bërë këngëtarja si drejtoreshë e Ngrohjes Globale në Ministrinë e Fates, Bilushi i Metës bëri një sqarim për opinionin publik:

Siç e shikoni, ka nisur një fushatë e pandershme ndaj një këngëtareje të njohur, pse ajo ka marre rrogë në administratë publike në dy ministri.

Skandali është se ka rastisur që në të dy ministritë ka qenë ministër Fatja.

Në Ministrinë e pare, atë të Mbrojtjes, puna ishte më e lehtë, pasi kishte Ansambël artistik dhe mund të justifikohej.

Në të dytën shumë vetë duan sqarime pse ka zgjedhur pikërisht Drejtorinë e Ngrohjes Globale.

Unë mendoj se ka vepruar drejt.

Siç e dini, Fatja është republikan konservator dhe ai nuk beson tek ngrohja globale.

Ai e di që ngrohja globale është një shpikje e Sorosit për të gjobitur kapitalin e madh.

Por meqë Sorosi ka kapur dhe Europën dhe ka detyruar çdo qeveri të ketë Drejtori të Ngrohjes Globale, ai ka vendosur aty një këngëtare, që të mos funksionojë si proces.

Sa herë e pyesnin Faten ca bëhet me ngrohjen globale, ai thoshte po punojmë në këtë drejtim dhe po e qetësojmë situatën.

Lidhur me pretendimin që ka këngëtarja se nuk ka firmosur kurrë si drejtoreshë, është e vërtetë.

Ajo nuk ka hedh asnjë firmë në vendin e punës, pasi republikanët janë kundër propagandës për ngrohjen globale.

Edhe për rrogën nuk ka firmosur, pasi e ka marrë cash dhe borderonë e firmoste vetë Fatja.

Pra ajo është tërësisht e pafajshme dhe nuk ka asnjë fakt që ta implikojë atë në paligjshmëri.

Sulmi ndaj saj është i frymëzuar nga Sorosi, kur ka konstatuar që Fatja si republikan nuk ka kontribuar kundër ngrohjes globale”. / Tema



Më të lexuarat