Sahit Dollapit po i ‘buzëqesh fati’ pas humbjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentar të 25 prillit 2021 dhe dorëheqjes nga funksioni i Sekretarit Organizativ të kësaj partie, përkatësisht posti më i rëndësishëm pas atij të kryetarit. Rreth një muaj pas dorëheqjes, kompania ‘ONYX’, me pronar 100 % Sahit Dollapin, është shpallur fituese e një tenderi pa garë, me vlerë rreth 190 mijë USD, për zhbllokimin e pusetave në Tiranë për 12 muaj. Tenderi është zhvilluar nga Ujësjellësi i Tiranës në 26 qershor 2021, ndërsa kompania e Dollapit, e vetme në këtë garë, është shpallur fituese në 13 korrik 2021. Ndonëse me vlerë të konsiderueshme, tenderi karakterizohet nga mungesa e garës, një procedurë kjo që lejohet nga ligjore, por që mbart risk të madh për abuzim, klientelizëm, paracaktim dhe shpeshherë korrupsion.
Në rastin konkret, pikërisht nga mungesa e garës, ndryshimi mes ofertës fituese dhe fondit limit është i papërfillshëm (19,993,590 lekë fondi limit / 19,094,166 lekë oferta fituese). Në 9 korrik 2021, pra katër ditë para se Ujësjellës-Kanalizime Tiranë të shpallte fituese kompaninë e Dollapit të tenderit pa garë, kryeministri Edi Rama mblodhi krerët e bashkive, ku i paralajmëroi të mos zhvillonin tendera pa garë, në të kundërt do t’i kallëzonte vetë në SPAK. Me sa duket, Ujësjellës-Kanalizime Tiranë nuk e ka dëgjuar mesazhin e kryeministrit! Nga ana tjetër, Sahit Dollapi një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë Lulzim Bashës, gjatë kohë kur vendi qeverisej nga Partia Demokratike dhe Sali Berisha, ka qenë drejtor pikërisht i Ujësjellësit të Tiranës, i kritikuar nga socialistët, në atë kohë në opozitë. Dollapi ka qenë edhe drejtor i KESH dhe në fund administrator i CEZ, ku i vuri vetes rrogë 5 mijë euro në muaj.
Tenderi 190 mijë USD është i fundit, por nuk është i vetmi për Sahit Dollapin. Për zhbllokim kolektorësh dhe pastrim tubacioni, kompania e Dollapit ka marrë edhe 5 tendera të tjerë nga Bashkisë Lushnje, Korçë, Tiranë dhe Durrës, që të gjithë pa garë. Kompania e Dollapit ka lidhur dy kontrata për dhënia me qira autobot për pastrimin e të ujërave të zeza me Bashkinë e Lushnjes, në vitin 2020, kur drejtohej nga Fatos Tushe, i arrestuar disa ditë më parë nga SPAK për abuzime me tenderat. Ndërkaq, kompania e Sahit Dollapit është shpallur fituese në 8 tendera të tjerë me vlerë qindra mijëra euro, duke u bashkuar me kompani të tjera, një formë e përdorur në mënyrë masive vitet e fundit për të plotësuar në letër kriteret e tenderit.Pa garë dhe pothuajse me ofertë sa fondi limit, ‘ONYX’ e Sahit Dollapit, në bashkëpunim me kompaninë “Balili Konstuksion” sh.p.k, është shpallur fituese e tenderit për rikonstruksionin e kolektorëve në Durrës me vlerë 103 255 436 lekë, në nëntor të vitit 2020, pra katër muaj para zgjedhjeve parlamentare, kohë gjatë të cilës Dollapi mbante funksionin e Sekretarit Organizativ të PD-së. Nga verifikimet rezulton se kompania e Sahit Dollapit ka vendosur një rekord, pasi 100 % të tenderave i ka fituar me flamur të kuq, që do të thotë pa garë dhe në një rast duke përjashtuar nga gara të gjithë konkurrentët e tjerë, përveç fitueses, që është ‘ONYX’. Për rrjedhojë, në të gjithë tenderat e ‘fituar’ deri më sot, e vetme apo duke u bashkuar me kompani të tjera, ndryshimi mes ofertës fituese dhe fondit limit është i papërfillshëm.