Me 6 Korrik, Struktura e Posaçme Antikorrusion, zbarkoi në Lushnje, pas një hetimi disa mujor lidhur me disa tenderat në investimet e kanaleve.
Si rezultat i operacionit u arrestuan 11 persona, mes tyre edhe kreu i Bashkisë Lushnjë, Fatos Tushe.
Ndërsa të arrestuarit e tjerë janë: Flamur Peqini, Ibrahim Lami, Bujar Murati, Gazmend Çela, Bektash Nexha, Blerta Turku, Xhemal Hasko, Margarita Gjermëni, Andi Musho, Ani Simoni.
Në zyrën e kreut të Bashkisë Lushnjë, në kohën që ka mbërritur SPAK për ta arrestuar, ndodhej dhe një prokuror i rëndësishëm i atij qyteti.
Informacioni është bërë publik fillimisht nga gazetari Elton Qyno.
Ndërkohë SPAK, i cili mësohet se vetëm telefonin i ka sekuestruar prokurorit në fjalë, këtë informacion e ka mbajtur të heshtur sikur s’ka ndodhur asgjë.
Po të njëjtën linjë ka mbajtur edhe Prokuroria e Përgjithshme, duke e fshehur skandalin.
Por, a mund të fshihet një prokuror, në një Prokurori si e Lushnjës, ku numërohen me gishta?
Arben Kraja, kreu i SPAK dhe Olsian Çela Prokurori i Përgjithshëm që po mbulojnë skandalin, duhet ta dinë mirë këtë gjë.
Prokuroria e Lushnjes ka 6 prokurorë.
Arben Dyla, drejtues i Prokurorisë, Merita Selimi, Skënder Mestani, Artan Hazbi, Natasha (Shallapi) Prifti dhe Rovena (Bozo) Zoto.
Cili nga këta të gjashtë ishte në zyrën e kreut të Bashkisë së Lushnjes, ditën që ai u arrestua?
Për cilin nga këta të gjashtë SPAK u kujdes ta mbulonte? Për cilin nga këta të gjashtë e thellon skandalin Olsian Çela.
Pasi ende nuk kemi në Lushnjë ndonjë prokuror të pezulluar, të paktën zyrtarisht nuk ka asgjë të raportuar.
Të gjithë vijojnë punën normalisht, ndërkohë që ai që ka qenë brenda zyrës së Tushes, së paku duhej të ishte pezulluar, pasi ngre dyshime për pazare.
Kujtojmë se Vettingu një nga kriteret ka edhe pastërtinë e figurës, lidhjet që prokurori apo gjyqtari ka me persona të caktuar.
Janë shkarkuar nga detyra prokurorë e gjyqtarë, të cilët kanë pasur lidhje me persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale.
Por rasti i Lushjes u hesht dhe u mbulua në mënyrë të paprecedentë.