Gazetarja Klodiana Lala ka folur mbrëmjen e sotme për arrestimet e fundit të Prokurorisë së Posaçme, ku deklaroi se SPAK “duhet ta ngrejë stekën më lart”.
Sipas saj, institucionet e drejtësisë duhet të merren me tendera multi-milionësh, teksa shtoi se pret që të ketë arrestime të tjera.
“Unë mendoj se SPAK po merret me çështje që duken më shumë për të treguar se po bëjnë diçka, por nuk është e mjaftueshme. SPAK duhet që ta ngrejë më lart stekën. Duhet të nisë puna me tenderat multi-milionëshe.
Rastet e arrestimeve nga SPAK tregojnë se korrupsioni në Shqipëri është një fenomen. Është njësoj sikur puna e kanabisit që ishte fenomen, por thuhej e kundërta nga ana e qeverisë. Mendoj se do ketë arrestime edhe më tej, por më shumë janë për t’ju hedhur hi syve. Pashë se Voda ishte arrestuar për dhënien e 2 mijë eurove, por prisja arrestim për ndonjë tender milionësh. Gjithsesi nuk e kuptoj se përse SPAK u vonua një vit për arrestimin e Vodës”, u shpreh Lala.