Është e diel, 4 korrik, njerëzit kanë mësyrë masivisht plazhet, kurse ne marrim udhën e krojeve të maleve, jo aq për t’u flladitur, sesa për të kryer një si “borxh” moral ndaj disa fshatrave, zonave apo rajoneve verilindore, afër “detit”, por larg “mbretit”…
Është një dëshirë e kahershme dhe e përhershme zbulimi i atdheut, që nuk ia kemi dalë as pas gjysmë shekulli shtegtimi qysh nga fëmijëria, si të thuash, me laps në dorë. Fshati që duam të sjellim sot për lexuesin është Bruçi i Matit, ku natyra dhe historia janë treguar bujare si rrallëkund. Vetëm tre-katër kilometra udhë e asfaltuar dhe Bruçi do të ishte tjetër. Kaq pak!? “Ua kemi kërkuar të gjitha qeverive të tranzicionit, të gjithë kandidatëve për deputetë apo kryebashkiakë, por nuk ka qenë e mundur!” A thua se këta njerëz rrojnë diku prapa diellit?… Uraka, Laçi, Bruçi, Rukaj, Rremulli, Prelli, Derjani, Dukagjini, Shtjefni, Urxalla, Lisi etj., janë fshatra matjanë që nisin në “rrënjë” të malit të Dejës, dhe ngjitën shpateve të pjerrëta deri lart në Macukullin e lëndinave të bukura, kullave epike dhe “Formulës së Pagëzimit”.
Bruçi ngjan si “kati” i parë i Selitës, Gjoçajve, Dukagjinit etj., fshat me dy ujëra të rralla, gurrën e Shutrrisë (Shutrreja), një nga burimet më të mëdha e më autentike në Shqipëri dhe lumin e Urakës, po aq i veçantë. Të dy vijnë që nga Selita (Kurbneshi) e Kroit të Bardhë, Didhes e Kunorës, thuajse paralel, ndonëse njëri mbi tokë e tjetri nëntokë. Shutrria, lumë nëntokësor, mbarsur me legjenda fantastike, shihet përmes një shpelle-pus, tridhjetë metra thellë, në bregun e epërm të Urakës dhe buron rreth pesëmbëdhjetë kilometra më poshtë, në Bruç. Në ujërat e saj rritet trofta endemike, pikaloshe (me pikla të kuq në trup), që haset dhe në Lurë.
Shutrria ka “ushqyer” me ujë një hidrocentralth, gjashtë mullinj bloje, si dhe uzinën e ferrokromit në Burrel. Kurse lumi i Urakës duket dhe zhduket si në legjenda, nga Mërkurthi në Bruç, duke krijuar dhe një kanion 4 kilometra të gjatë, tërthoreve të Trangës, nga më të mëdhenjtë e më të egërit e maleve tona, gati i pashkelshëm nga këmba e njeriut, e as nga dhitë e egra, por mbase nga turistët e aventurës. Uraka në Selitë është lumë, kurse në Mat lumë dhe fshat.
“Qyteza e Skënderbeut”, mes legjendave dhe rrënojave
Në Kodër Vorre të Bruçit kanë qenë tumat ilire dhe banorët mbajnë mend se janë gjetur tjegulla më të mëdha se të zakonshmet, ashtu siç dhe Laçi ka qenë i banuar që nga Iliria. Fusha e Ndërdysë, mes dy lumenjve, ka qenë gjithëherë një arenë ku është luftuar, një odë e hapur ku është kuvenduar dhe një skenë popullore ku është festuar. Ka qenë fat që Mati, në vitet ’60 -90, ka pasur një studiues si Dilaver Kurti, pa shkrimet e të cilit mbase nuk mund të kishte guida të plota për këtë trevë. Ai ka shkruar se në fshatin Bruç të Matit ka qenë vendbanimi i njohur si “Qyteza e Skënderbeut”, rrënojat e së cilës “me shenja të qarta fortifikuse” gjenden dhe sot në veri të këtij fshati. E përshkruan atë dhe studiuesi vendas Ferit Këputa: “Në lindje të Laçit është një shkëmb i lartë 550 m mbi nivelin e detit dhe majë tij ndodhet një shesh me gjurmë ndërtimesh e fortifikimesh të rrethuara me mure, që vendasit i thonë “Gjyteza e Skanderbegjut”, që sipas studiuesve daton me periudhën e vonë antike…”
Si ka mundësi që ka aq shumë toponime që lidhën me Skënderbeun? – pyesin njerëzit me njëfarë dyshimi, nëse ai mund të kishte gjithë këto qyteza anembanë vendit. Pse jo?… Ndërgjegjja historike është më e madhe dhe se vetë historia. Ajo e ka dashur heroin kombëtar në çdo gur e kreshtë. Hapësira ku gjenden gjurmët e Gjergj Kastriotit është e pamatë, në Arbëri dhe në Dardani, në qytete dhe në male, në arkiva dhe në terren, në qytezat e shumta rrënoja që mbajnë emrin e tij, ku në arealin e Matit ka disa të tilla, si kjo e Bruçit. Haxhi Neziri, 67 vjeç, mësues në pension, ish-drejtor shkolle e këshilltar, që ka pritur në shkollën e tij Presidentin Moisiu, Princ Lekën e të tjerë, nis e tregon gojëdhanat për Skënderbun.
“E rrethuan disa herë ushtritë otomane kalanë e Qytezës për ta mposhtur, por nuk mundën. Luftëtarët përdornin gjithfarësoj taktikash. Njëherë thuhet se hodhën nga bedenat një kalë me barkun plot me grurë. Me këtë donin të jepnin mesazhin se ne që ushqejmë kuajt me grurë, për njerëzit kemi sa të duash…” Banorët ndërlidhin me “Qytezën e Skënderbeut” dhe shpellat e shumta të zonës, “Shpellën e Valit” ose të Birme (ngaqë ka një birë në tavan) në Perlat, “Shpellën e Nezirit”, “Shpellën e Blazit”, “Shpellën e Këputës”, “Shpellën e Pëllumbave”, gjer “Shpellën e Vashës” në Prell (vasha e ardhur nga larg u martue me Prelën) etj.
Disa nga shpellat mbajnë emra të fiseve të fshatit. Ato janë pasuri kombëtare, studiuar nga arkeologët dhe speleologët e vendit dhe të huaj, por jo lehtësisht të vizitueshme për shkak të mungesës së shtigjeve turistike. Na thonë se Shpella e Këputës, rreth treqind metra e gjatë, ka të ndërkallur brenda saj “Shpellën e Princit” (Skënderbeut). Nga vendasit besohet se kjo shpellë lidhej me rrugë të nëndheshme me “Qytezën e Skënderbeut” dhe kalanë e saj, aq më tepër që në hyrje ka qenë një pus që mblidhte ujërat për t’u ngjitur lart…
Vini oroe, edhe nëntokë ka depërtuar toponimia dhe gojëdhania e Gjergjit tonë të madh.
Por t’i lëmë bardët “gjashtëqindvjeçarë” të rrëfehen, siç dinë ata, për heroin kombëtar: “Nga kodra e “Qytezës e Skënderbeut” asht hedhë kali i Skënderbeut e ka ra në kodrën përballë!…” Kali i Gjergjit këndej është veçse “fluturues”. Thotë një tjetër gojëdhanë: “Fluturoi kali i Skënderbeut mbi Rremull dhe samari i ra në vendin e quajtur Samai, kurse rripat në Sparripë…” Edhe nalt në Trangë, në një rrasë të lëmuar, gjendet “Gjurma e Skanderbegut”, të cilën i ati ia tregon të birit, brez pas brezi: “Ruaj se harron me ia kallëxue dhe ti, birit tand, atë “Gjurmë” të artë, që nuk e zhbin dielli as shiu! Teksa në fshatin Shebe, njëri nga llojet e rrushit quhet “Rrushi i Skënderbeut”. Heroi, në vetëdijen e popullit, nuk vjen vetëm i idealizuar, ai lëshonte dhe namë të forta e mallkonte aty ku ushtria e tij haste ndonjë vështirësi. Por nuk do të ecim më tej nëpër “gjurmët” e Skënderbeut në këto anë, se do të duheshin sa e sa net dimri me na kallëxue dhe faqe letre me shkrue për trojet dhe bashtinat e tij në Shtjefën, qytezat dhe kalatë skënderbegiane në Stelush, Gur të Bardhë etj”.
Një problem do ta ngremë me këtë rast. A i kemi dokumentuar si duhet këto gojëdhëna në shkrime, botime e guida, apo i kemi nënvleftësuar, kinse ato nuk janë histori, por folklor? Të rinjtë ikin jashtë fshatit e jashtë Shqipërisë, kurse të moshuarit rrallohen përditë?!… Po turistëve, çfarë do t’iu tregojmë? Shumica e këtyre toponimeve kanë rrënoja, tjetër gjë nëse ato ishin kala të mirëfillta apo fortesa mesjetare etj. Nuk është e rastit që në territorin e “Qytezës së Skënderbeut”, te Livadhi i Gjonit, në Troje, janë dhe sot rrënojat e kishës së Shënkollit të Bruçit, i cili bashkë me Dukagjinin kremton Shënkollin.
Të tërheq vëmendjen dhe një kryq i gdhendur në një gur si obelisk, në mes të fshatit, ku bëjnë hije disa lisa të moçëm. Një kryq ndër myslimanë?… Për ndonjë pajtim gjaku?… Kryqet në raste të tilla skaliteshin në portat e kullave, ndërsa ky mund të ishte shenjë e një pajtimi më të madh, mes dy lagjesh a fshatrash? Apo mund të jetë qysh i kohës kur banorët këtu ishin katolikë?… Pikëpyetjet për të kaluarën shtohen, sa më shumë largohemi prej saj. Po shuhen kullat e vjetra monumentale, disa prej tyre të fortifikuara me mure rrethues si kështjellat dhe vetëm, aty-këtu, të zotët po i restaurojnë për turizëm.
Në biseda vëren se jo vetëm lavditë e Skënderbeut janë përpajnuar nëpër gojëdhëna, por shpesh dhe historitë familjare vijnë të tilla, duke mos pasur shumë letra të shkruara për ato kohë. Haxhiu thotë se para 250 vitesh e kemi pasë shtëpinë te “Kroi i Fikut” në Perlat (Mirditë), mundet me mbiemrin Ndreka. Stafë Ndreka përmendet si myslimani i parë në Bruç, i cili e ndërtoi shtëpinë te Livadhi i Gjonit afër kishës. Vargu emëror i tij ishte: Stafë – Ndrekë – Gjon – Bruçi.
Kuvendi i Bruçit 1943, që pajtoi komunistë e nacionalistë
Bruçi ka shumë për të treguar sot e nesër, dhe për Kuvendin që u mbajt aty më 26 korrik 1943, nën shembullin e Konferencës së Pezës. Por kishte një vështirësi më tepër, se më parë duheshin lënë mënjanë hasmëritë e gjaqet mes banorëve. Një pakt që u vendos dhe në Kosovën e ‘90-s.
Në atë kuvend, në të dy anët e oxhakut rrinin hasmit e njëri-tjetrit, Kurti dhe Lufi.
“A duem me e çlirue Shqipninë?”
“Pooo!”
“Atëherë lypet me qenë të pajtuem mes nesh”.
“Jam vlla me ty deri sa të çlirohet Shqipnia”, i tha i pari Kurti Lufit apo Lufi Kurtit.
Në atë kuvend u pajtuan krejt gjaqet e krahinës deri në çlirim.
Kuvendi u mbajt në kullën e Ahmet Beqir Nezirit, i cili nuk ishte i lidhur me asnjë parti. “Kuvendin e ideuan komunistët, por e drejtuen nacionalistët”, të thonë.
Morën pjesë mbi dyqind burra: nga radhët e partizanëve ishin Mustafa Kaçaçi, Sali Llani (edhe si përfaqësues i parisë), Beqir Minxhozi etj., kurse nga nacionalistët: Sul Kurti, Bilal Kola, Ndrec Lufi, Isuf Çela, Haziz Kasemi, Frok Gjeta e shumë të tjerë. Kishte kuvendarë dhe nga Selita e Kthella fqinje.
“Fusha e Ndredysë buçiste nga këngët partizane e atdhetare, nga vallet dhe bisedat vllaznore”, kujtojnë veteranët.
Vendimet e atij kuvendi i paraprinë mësymjes së përgjithshme për çlirimin e Matit nga pushtuesit e Luftës së Dytë.
Ky ishte bashkimi i parë i Bruçit, pastaj ai për hidrocentralin.
Laçi, Bruçi dhe Uraka se ç’na janë bashkue…
Nuk mund t’i ikësh këtij “trinomi” trefshatrash, që i bashkoi e para këngëtarja e njohur matjane Feride Kurdi dhe tash askush nuk i shqipton të veçuar, por si një emër të vetëm. Kënga thoshte se tri fshatrat u bashkuan për të ndërtuar një hidrocentral të vogël me ujin e nëndheshëm të Shutrrisë, çka bëri që Bruçi të ishte fshati i parë në Mat me dritë elektrike, që në vitin 1968, tre vjet para se të përfundonte elektrifikimi i krejt vendit. Po a dini? Tri fshatrat ishin “sakrifikuar” për një hidrocentral të madh, atë të Ulzës, liqeni i të cilit do të zgjatej deri aty dhe do t’iu mbulonte rrugën. Duhet thënë se liqeni i Ulzës, pa ia mohuar bukurinë dhe vlerën, “përmbyti” një nga oazet më të bukura të veriut të Shqipërisë. Tashmë laç-bruç-urakasit do t’iu dorëzoheshin varkave të vogla, me të cilat mezi kalonin bregun për të shkuar në Burrel.
Pas shumë vitesh në Urakë, mbi liqen, do të ndërtohej një urë e gjatë teli me dërrasa, që erdhi duke u sosur, derisa mbeti si skelet. Shpëtimi nga “izolimi” nuk ndodhi as me hekurudhën Milot – Rrëshen – Klos, në fund të viteve ‘80, pasi ajo nuk mbërriti deri në Urakë, që ta kapërcente liqenin, dhe pse urat mbi Mat u ndërtuan. As pas ‘90-s ura e Urakës nuk u bë për shumë vite. Tregojnë se njëherë urakasit nuk dolën fare në votime, pasi askush nga të majtët apo të djathtët nuk po arrinte t’ua bënte urën. Kështu “legjenda” e njerëzve që humbën rrugën për hidrocentralin vazhdoi deri në vitin 2009, kur, më në fund, do të ndërtohej rruga e asfaltuar Rrëshen-Burrel, 35 kilometra e gjatë, po që shpejt do t’i dilnin “brinjët”…
Natyra dhe historia, “shinat” e turizmit
Bruçi ka qenë qendër administrative dhe e kooperativës bujqësore që përfshinte fshatrat e krahinës së Prellit, me 6 mijë banorë, kurse tani janë vetëm gjysma. Kooperativa e Laç – Bruçit kishte 1280 ha tokë, dy të tretat nën ujë. “Kemi ndenjtur këtu prej ujit, se do të kishim ikur dhe ne si ata të fshatrave sipër”, thotë njëri nga banorët, duke shtuar se “ata që ikën u bënë rehat duke zënë toka në Tiranë, Durrës etj.” Sot ata merren me vreshtari, blegtori, bletari, drufrutorë (arra e lajthi), kultivimin e troftës në ujëmbajtës të posaçëm, si ai i Hasan Nezirit që e vizituam. E megjithatë, është herët për të folur për turizëm në Bruç. Një djalosh që e dëshiron ndryshimin, Erion Neziri, mësues kimie, që na prin për te vendet turistike të fshatit, është në hapat e parë të një bujtine familjare për të mikpritur turistët; ka pasur të ftuar këto ditë ish-pedagogët e tij të departamentit të kimisë në Universitetin e Shkodrës.
Sot nuk ka një turizëm si me thënë lokal, por rajonal e më gjerë, ndaj dhe guida të tilla duhet të jenë. A nuk shtrihen shpellat dhe lumenjtë që u përmendën më sipër, dhe në Mirditë dhe në Mat? Siç ka të tjera të përbashkëta Mati me Martaneshin, Bulqizën etj., pa thënë se i përbashkon Rruga e Arbërit. Ka një mendësi të gabuar, sikur qeveria është Zoti në tokë dhe ajo mund të bëjë ç’të dojë me pasuritë publike. Sapo u fol për një hidrocentral që bllokoi një zonë, për të bërë dritë për “interesin e përgjithshëm”. Edhe sot, prapë përmbyten vlera ekologjike, turistike, për interesin e pak pushtetarëve e sipërmarrësve!?
Vendimmarrja për turizmin, agroturizmin, zhvillimin ekonomik etj., duhet t’u përkasë atyre që i kanë trashëguar këto pasuri. Kjo është “banka” e tyre dhe këta janë “aksionerët” e saj. Ku ta gjesh këtë luks natyror të begatë, nga lumi i Matit në malin e Dejës, me kurora pyjesh e malesh, bimësh dhe gjallesash endemike, lëndinash, gurrash, shpellash e kanionesh mahnitës. Gurra e famshme e Shutrrisë është quajtur nga banorët “Syri i kaltër”, si në Bistricë, Alpe etj., ku ka të tilla perla natyrore. Për më tepër, “sytë e kaltër” të Bruçit janë dy, Shutrria dhe Uraka. Po ashtu dhe objektet muzeale, nga “Qyteza e Skënderbeut” te “Kulla e Pashës” në Urakë, vakufi “Shmreja e Laçe” në Kodër-Laç etj., siç ka qenë dhe lteri i Shën Mërisë, që e pati zënë rezervuari etj.
Nuk mund të largohemi, pa u “përshëndetur” me njerëzit e penës, miqtë tanë nga këto vise: Sami Milloshi, Behar Gjoka, Isuf Neli, Aqif Heta, Fatmir Gjestila, Bajram Canameti etj., që kanë shkruar me dashuri për vendlindjen e tyre. Ashtu siç fliste për të me pasion të veçantë ish – deputeti i ndjerë Idriz Xhomara, mbase i vetmi “eremit” i Kuvendit të Shqipërisë, që ti e kërkoje në Tiranë për një kafe, kurse ai e kishte mbajtur vrapin këtyre anëve, deri lart në Lurë…, e tash në qiell.