Prapaskena

Çfarë po “i ha kokat” e kryebashkiakëve? Kush janë kryetarët e arrestuar, hetuar apo shpallur “të vdekur”

Publikuar: 06/07/2021

Korrupsioni me tenderat, lidhjet me krimin në të kaluarën apo edhe përplasjet politike vijojnë të hanë “kokat” e kryebashkiakëve në Shqipëri, ndërsa shumë qytete qeverisen nga ‘kryetarë’ të cilët nuk i kanë votuar.

Aktualisht, bashkia e Vorës, Durrësit, Rrogozhinës dhe Dibrës, janë pa kryetar, ndërsa Shkodra vijon të qeveriset më një “kryetare” të cilës i ka përfunduar mandati dy vite më parë.

Por nuk mbaron me kaq, pasi fati i 2 bashkive të tjera është në diskutim, ndërsa një kryebashkiak nga radhët e PS-së është shpallur “i vdekur” nga Rama, pas përplasjes që pati me këtë të fundit.

Kryebashkiakët e arrestuar, hetuar, dënuar apo shpallur “armiq”

Sagës së qyteteve që mund të mbeten pa kryebashkiakë, së fundi iu shtua edhe Lushnja, ku tenderi për një kanal “mbyti” bashkinë dhe çoi në pranga Fatos Tushen.

Masa është kërkuar nga SPAK, pas një hetimi të nisur në 22 korrik të vitit të shkuar, në tenderat e firmosur prej titullarit socialist që është në detyrë prej 11 vitesh. Me arrestimin e tij, gjasat janë që të marrë fund edhe karriera politike.

Por Tushe nuk është i vetmi në diskutim. Kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, i cili rezulton i dënuar me 3 vite burg në Greqi, u fal nga KQZ, pasi u vendos të mos i ndërpritej mandati.

Por duket se beteja nuk ka përfunduar për PD-në, që ishte edhe ajo që bëri denoncimin, dhe zbuloi se kryebashkiaku kishte fshehur në formularin e dekriminalizmit dënimin që kishte marrë në Greqi.

I paqartë është edhe fati i Dritan Lelit. Kryebashkiaku i Vlorës është futur në një kurs përplasjeje të fortë me kryeministrin Edi Rama, pasi refuzoi të kandidonte për deputet. Në të gjitha takimet që kryeministri zhvillon në Vlorë, Leli është shpallur “non grata”, ndërsa gjatë një inspektimi Rama e quajti të “vdekur”.

Gjithsesi, Leli do vijojë të jetë në krye të bashkisë, por përfaqësimi i qytetarëve tashmë është krisur ndjeshëm.

Hetime ka patur edhe për kryebashkiakun e Tropojës, Rexh Byberi për dhënien e një leje ndërtimi në një zonë të mbrojtur në komunën Margegaj.

Edhe kryebashkiaku i Hasit, Adem Lala ka kaluar në sitën e SPAK, pasi sipas prokurorëve, ai u përfshi në aferën e privatizimit në mënyrë të padrejtë të një aseti publik në bashkinë Has.

Gjithsesi, këta dy të fundit vijojnë detyrën.

Ndërkohë, pak ditë më parë, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit, dënoi me 1 vit burg për abuzim me detyrën ish-kryetaren e bashkisë Gjirokastër Zamira Rami, në 2021. Zamira Rami u akuzua në dhjetor 2020 nga SPAK se ka shkelur ligjin duke prishur dy prona të ligjshme të dy shtetasve, duke u sjellë atyre një dëm prej rreth 5 milionë e 600 mijë lekësh.

Cilat janë bashkitë pa kryetarë?

Shkodra, Durrësi, Vora, Rrogozhina dhe Dibra janë 5 nga 61 bashkitë, që aktualisht drejtohen nga kryetarë të emëruar dhe jo të zgjedhur nga qytetarët.

Voltana Ademi po mbyll mandatin e dytë në krye të bashkisë Shkodër edhe pse nuk kandidoi në zgjedhjet e fundit lokale. Ndonëse në 2019, shkodranët ia besuan Valdrin Pjetrit drejtimin e bashkisë, ai dha dorëheqjen nga marrja e detyrës, për shkak se u zbulua se ka probleme me ligjin e dekriminalizimit.

Një deklaratë shokuese pak ditë pas tërmetit të 26 nëntorit i kushtoi postin edhe kryetares së bashkisë Durrës, Valbona Sako. Ajo dha dorëheqjen, për t’u zëvendësuar në këtë detyrë nga Emirjana Sako.

Vora vazhdon të drejtohet nga një kryetar i pazgjedhur me votë, ndërsa Agim Kajmaku ndodhet në arrati. Në këtë bashki, pas një kalvari të gjatë emërimesh shkarkimesh e dorëheqjesh të drejtuesve të emëruar të saj, drejtimin e ka marrë Gentian Picari.

Ndarja e papritur nga jeta e kryetarit të Bashkisë Rrogozhinë, Haxhi Memolla, ka bërë që edhe kjo bashki të drejtohet prej disa kohësh nga një kryetar jo i zgjedhur me votë.

Zgjedhjet e 25 prillit i moren kryetarin e Bashkisë edhe Dibrës. Dionis Imeraj e la këtë detyrë për të kandiduar për deputet në zgjedhjet e 25 prillit. Aktualisht kryetar i bashkisë në detyrë është Shkëlqim Murrja. I renditur në vend të tretë në listën e Partisë Socialiste për kandidat për deputet në Dibër, Imeraj ‘u dogj’ pasi PS arriti të merrte vetëm 2 mandate në këtë qark.



Më të lexuarat