Prapaskena

30 deputetë të parlamentit të ri u ndalohet hyrja në SHBA, me dosje korrupsioni dhe krimi

Publikuar: 28/06/2021

Përveç Sali Berishës, i cili është shpallur zyrtarisht non grata, bashkë me familjen, për korrupsion madhor në bashkëpunim me Ilir Metën, mbi 30 deputetë të tjerë parlamentit të ri, që do të konstituohet në shtator, mësohet se u ndalohet që të shkelin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të aktivitetit disavjeçar në botën e krimit dhe korrupsionit.

Sipas burimeve, deputetët e zgjedhur dhe të rizgjedhur në zgjedhjet parlamentare të 2021 u përkasin të gjitha partive politike, por shumica prej tyre do të jenë pjesë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Edi Rama dhe Lulzim Basha janë në dijeni të kësaj liste të zezë, e cila nuk është bërë ende publike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pjesë e kësaj liste janë edhe Petrit Vasili, Monika Kryemadhi, Fatmir Mediu, njerëzit e futur në Parlament nga Tom Doshi dhe Aqif Rakipi, disa ligjvënës biznesmenë dhe të tjerë me ngarkesë të madhe kriminale.

Jo rastësisht, për javë me radhë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, ambasadorja amerikane në Tiran, Yuri Kim, paralajmëroi Edi Ramën dhe Lulzim Bashën që të mos fusin njerëz të krimit dhe korrupsionit në lista, të cilët janë skeduar nga amerikanët.

Por, për të siguruar sa më shumë vota me paratë e tyre të pista, Rama dhe Basha hoqën nga lista vetëm një pjesë të vogël të njerëzve të listës së zezë. Nga ana tjetër, bosët e krimit që kanë qenë më parë deputetë, u tërhoqën në mënyrë taktike, duke futur familjarët dhe klientët e tyre në lista.

Me mbledhjen e parlamentit të ri në shtator, Rama dhe Basha do të përballen me pasojat, pasi amerikanët pritet të publikojnë një nga një deputetët e listës së zezë. Në shtator pritet edhe shpallja e Ilir Metës non grata.



Më të lexuarat