Prangoset bosi i drogës në Vlorë, i cili 15 ditë më parë i shpëtoi një atentati.
FNSH dhe RENEA, në bashkëpunim me policinë lokale, kanë zhvilluar sonte një operacion blic në zonën e Lungomares në Vlorë, ndërsa në pranga kanë rënë dy persona, njëri prej të cilëve është Edison Begaj.
38-vjeçari është një emër i njohur për drejtësinë, por edhe publikun sidomos në javët e fundit, pasi në 29 Maj iu bë atentat dhe u qëllua me 4 plumba.
Ai ishte në makinë së bashku me gruan dhe fëmijët dhe sapo doli për të hapur portën një person i veshur me uniformë policie iu afrua duke e qëlluar 4 herë me armë nga këmbët dhe më pas u largua qetësisht dhe ende nuk është zbuluar dhe arrestuar.
Edison Begaj ka qenë i dënuar për drogë 7.6 vite në 2010, ndërsa ishte edhe subjekt i OFL-së në lidhje me pasurinë e tij.
Lidhur me arrestimin e sotëm ende nuk dihet arsyeja, ndërsa në vazhdim pritet që policia e shtetit të japë më shumë detaje për operacionin.