Aksidenti që i këputi këmbën 23-vjeçares shtatzënë, makina rrëzoi pemën, Breçani me shpejtësi të madhe

Pa Kategori

Publikuar: 10/06/2021

Aksidenti që i këputi këmbën 23-vjeçares shtatzënë, makina rrëzoi pemën, Breçani me shpejtësi të madhe

23-vjeçarja Xhesina Gega ka mbetur pa njërën këmbë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën në spital pasi është përplasur nga një makinë në zonën e Kinostudios nga 19-vjeçari Jehon Breçani, i cili është djali i ish-zëvendësdrejtorit të Policisë Tiranë Erzen Breçani.

Makina ishte me shpejtësi kaq të lartë saqë ka thyer pemën në mes dhe më pas ka goditur të renë.

E reja i është nënshtruar një operacioni në spitalin e Traumës, dhe aktualisht ndodhet në terapi intensive në gjendje kritike për jetën.

23-vjeçarja ka qenë duke ecur në trotuar kur 19-vjeçari ka humbur drejtimin e makinës luksoze tip “Benz”, që i jepte me shpejtësi dhe ka përplasur të renë, duke i këputur njërën këmbë dhe shkaktuar plagë të rënda në trup dhe fytyrë.

Përplasja ka qenë e fortë dhe identifikimi i 23-vjeçares është bërë me shumë vështirësi për shkak të plagëve të marra.

Jehon Breçani ka humbur kontrollin e makinës dhe është përplasur fillimisht me murin,  më pas me një pemë që e ka thyer dhe më pas ka goditur 23-vjeçaren që ndodhej në trotuar.

Shoferi i Benz-it, me targa AA 888 XX është shoqëruar në ambientet e Komisariatit nr.4, për veprime të metejshme hetimore. Burime nga policia bëjnë me dije se i riu i është nënshtuar testit të alkoolit, por nuk rezultoi të ishte nën efektin e pijeve alkoolike.

Aksidenti i rëndë ndodhi pasditen e sotme në rrugën  “Xhanfize Keko”, ndërsa policia ndodhet në vendin e aksidentit dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.