Mësohen detaje të reja nga dosja hetimore e vrasjes së Kudret Saliajt dhe plagosjes së avokatit Adriatik Cama në një lokal pranë Gjykatës së Tiranës.
Për këtë krim të dyfishtë janë arrestuar ish-vjehrri i viktimës Mexhit Picari dhe bashkëshortja e 41-vjeçarit Dhurata Saliaj.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Prokuroria e Tiranës ka dorëzuar në gjykatë kërkesën për masë sigurie duke kërkuar arrest me burg për babë e bijë, ndërsa pretendon se vrasja ka qenë me paramendim.
Përse prokuroria e akuzon si bashkëpunëtore në vrasje Dhurata Saliajn?
Vetëm pak minuta më parë Prokuroria e Tiranës dorëzoi në gjykatë kërkesën për masë sigurie për babë e bijë të cilët akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin vranë Kudret Saliajn dhe plagosën avokatin Adriatik Cama. Prokurori Braho ka kërkuar arrest me burg për Mexhit Picarin dhe vajzën e tij Dhurata Saliajn e cila ishte në proces divorci me viktimën që nga nëntori i vitit të kaluar. Rezulton sipas prokurorisë se Mexhit Picari dhe vajza e tij që duhet të ishte në arrest shtëpie për dhunë në familje, në harkun kohor të 20 minuta kanë vëzhguar lëvizjet e viktimës dhe avokatit përpara se Picari të ulej në të njëjtin lokal me ta dhe të qëllonte me 5 plumba Kudret Saliajn.
Fakti që ata kanë vëzhguar lëvizjet e viktimës dhe avokatit ngre dyshime të forta sipas prokurorisë se e kishin paramenduar vrasjen. Janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të objekteve pranë vendit të ngjarjes, ku duken lëvizjet e avokatit dhe viktimës si dhe Mexhit Picarit dhe vajzës së tij Dhurata Saliajt. Në momentin që babë e bijë janë siguruar se Kudret Saliaj dhe avokati janë ulur në lokalin ku ndodhi ngjarja janë ulur dhe ata dhe sapo kanë porositur kafen, Picari është afruar dhe ka qëlluar Saliajn.