Prapaskena

Yuri Kim mesazh të zi Metës dhe Berishës: Po ju vjen fundi!

Publikuar: 28/05/2021

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim i ka dhënë sot një mesazh të koduar Ilir Metës dhe Sali Berishës, i pari në rreth të kuq, ndërsa i dyti në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë një takimi me kreun e SPAK-ut Arben Kraja, ambasadorja Kim u shpreh se askush nuk është mbi ligjin dhe se pandëshkueshmërisë në Shqipëri po i vjen fundi.

Mesazhi tingëllon për Berishën dhe Metën, të cilët janë bashkuar në një front kundër reformës në drejtësi dhe SHBA-BE. Berisha dhe Meta i kanë shpallur luftë Perëndimit pikërisht për shkak të investimit për hartimin, miratimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi.

Beteja e tyre deri më tani ka përfunduar me përfshirjen e Berishës dhe Familjes së tij në listën e zezë, shkrirjen e LSI dhe shkarkimin e pritshëm të Metës.

Por, mesazhi i ambasadores i adresohet edhe të gjithë politikanëve të korruptuar dhe klientëve të qeverisë, pra kujtdo që ka vjedhur pasuritë publike dhe nuk është ndëshkuar.

Mesazhi i Ambasadës Amerikane

Sot, Ambasadorja Kim u takua me Kreun e SPAK Kraja dhe Drejtoreshën e BKH Hajnaj për të diskutuar rezultatet e suksesshme të SPAK dhe sfidat me të cilat ata po përballen në vitin e tyre të parë. Shtetet e Bashkuara mbështesin rolin e rëndësishëm që SPAK ka në zbatimin e suksesshëm të reformës në drejtësi. Zhvillimi i vërtetë po ndodh. SPAK e nisi vitin 2021 me rezultate të vërteta nga çështje të mëdha. Ndërsa mesi i vitit 2021 po afron, Kreu Kraja dhe Drejtoresha Hajnaj i rikonfirmuan Ambasadores Kim se puna po vijon intensivisht në SPAK. Pavarësisht sfidave dhe sulmeve, SPAK është përqendruar për të treguar se askush nuk është mbi ligjin. Ata vazhdojnë të hetojnë krime të ndryshme, të organizuara e të mëdha, korrupsionin dhe krimet zgjedhore, dhe janë të vendosur për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Askush nuk është mbi ligjin!



Më të lexuarat