Prapaskena

Mero Baze: Bën mirë të trembesh Sali Berisha! Ti e di si u vra Gadafi!

Publikuar: 28/05/2021

Qenka trembur seriozisht dhe kjo më kënaq. Në kulmin e pushtetit dhe pandëshkueshmërisë, në kulmin e kontrollit mbi gjithçka dhe çdo gjë që ndodh në këtë vend, në kulmin e pasurimit të paligjshëm dhe etjes së shfrenuar për të rrëmbyer gjithçka, ka kuptuar papritur se mund të ikë. Në fillim e ka marrë si lojë, por dita- ditës po shikon se me të vetët ai nuk mund të rrijë në pushtet. Në mesditën e së hënës nervat e kishin lëshuar, sytë i ishin futur më shumë se ç’duhet brenda zgavrave njësoj si pas 21 Janarit, dhe duket se qetësuesit nuk i kanë bërë derman. Në krye të sulmit e nisi me gazetën Tema. I kish ngelur në mendje një “periudhë e artë” për të, kur për disa muaj e mbylli gazetën me policë, të cilët vazhdojnë të marrin ende rrogën për të mos na lënë të hyjmë në redaksi. Në përpjekje për të qetësuar të vetët, që shikojnë se po i ikën pushteti nga duart për shkak të konfliktit me LSI, ai përpiqet t’i qetësojë duke u thënë se LSI nuk do të ikë dhe se janë të tjerë ata që duan tu prishin terezinë, është gazeta Tema, është presidenti, është opozita…

Nuk kam ndërmend t’i përgjigjem një qenie që sa herë ndjehet ngushtë, mblidhet si gjarpri skrupull në vrimë dhe ngre kokën të helmojë këdo që mendon se e ka detyruar të futet në atë vrimë. Por për respekt të lexuesve dhe opinionit publik dua të theksoj një zhvillim që ne na bën krenarë në raport me këtë qenie të gjallë që i ka ditët e numëruara.

Ajo që na bën krenarë ne si gazetarë të gazetës Tema është se në kulmin e pushtetit të një njeriu të lig dhe të një Familje të ligë në pushtet, ne nuk u bëmë shembull i nënshtrimit dhe as një shembull suksesi i ndëshkimit të kësaj qenie të ligë. Sali Berisha nuk ka lënë asgjë pa bërë kundër gazetës Tema, kundër meje personalisht dhe familjes sime, jo se kishte qëllim në vetvete që të na zhdukte, por donte tu tregonte shqiptarëve se kush ngrinte gishtin kundër tij, do ta pësonte keq. Nuk kam qenë shumë i dëshpëruar kur im bir më ka zgjuar në tre të natës për të më thënë se po digjej makina para pallatit ku gjithë ditën kish ndenjur shoferi i familjes së tij. Nuk kam qenë aq i shqetësuar kur babai i traumatizuar 80 vjeçar, më ka marrë në telefon dhe më tha se ka dërguar Berisha njerëz të na prishin shtëpinë. Nuk kam qenë shumë i mërzitur kur policia ndërtimore qysh në orën 5 të mëngjesit rrafshoi në tokë shtëpinë e sime motër për t’i raportuar Berishës se e bënë detyrën. Nuk kamë qenë i dëshpëruar kur Ridvan Bode dhe Agim Shehu vinin gjoba marramendëse për çdo fjalë të shkruar në gazetën Tema dhe as për gjyqet pafund të saj.

Kam qenë i dëshpëruar vetëm në një moment, në fillim të vitit 2010 kur u detyrova nën dhunën e policëve që nuk të lejonin të hyje në redaksi, nën sulme banditësh që pozonin me gruan e tij tribunave pasi e paguanin miliona, dhe nën gjobat e rënda marramendëse të dy kamikazëve që do mbeten në histori si dy figurina të neveritshme të shtetit shqiptar, Ridvan Bodes dhe Agim Shehut, që gazeta të ndalte botimin e saj në print për disa muaj. Dëshpërimi nuk kishte të bënte me dëmet materiale dhe shkatërrimin e biznesit, por me frikën që po ngjallej në shoqëri nga ky gjest. Fill pas Temës katër gazeta të tjera u mbyllën njëra pas tjetrës pa zhurmë, pasi kishin pronarët biznesmenë që nuk donin të kishin telashe me shtetin. I trimëruar nga ky sukses, Sali Berisha përdori një langua të tij, të quajtur Agim Nesho, për të mbyllur dhe emisionin “Faktor Plus” në Vizion Plus, duke premtuar para dhe biznese për një palo sekser të palës gjermane në Shqipëri. Emisioni, i cili kishte shikueshmëri të lartë për shkak të qëndrimeve kritike ndaj qeverisë, i ishte bërë gangrenë Familjes dhe donin doemos të mos e shikonin më. Ka qenë pikërisht ky momenti kur e pashë se ky njeri po institucionalizonte frikën ndaj kujtdo që tentonte të ngrinte zërin. Dhe ka qenë pikërisht ky moment kur e kam rihapur gazetën Tema me një laptop dhe dy- tre gazetarë, me të ardhura thuajse minimale, për ta risjellë sot si gazetën më të lexuar në Shqipëri, me qindra- mijëra vizitorë dhe rreth 5 milionë klikime në 24 orë mbi faqen e saj. Nuk është se vlen të lexohet kaq shumë sa e lexojnë, pasi jemi një ekip i vogël, modest dhe pa shumë fuqi financiare për të bërë një gazetë të nivelit të lartë, por shembulli që dhamë për t’iu kundërvënë një njeriu të lig në pushtet ka mbledhur rreth nesh aq shumë njerëz sa Sali Berishës i dalin në gjumë dhe i duket sot si fatkeqësi kombëtare.

Ai nuk është sot i shqetësuar se çfarë shkruan gazeta Tema, se e mbështet apo jo opozitën, se e nxit apo ndal rënien e qeverisë së tij. Ai nuk është i shqetësuar nëse ne jemi dakord apo jo me darkën e Lalzit apo mocionin e mosbesimit. Ai është i shqetësuar se pikërisht kur ai i ka të gjitha mundësitë për të shtypur një medie dhe një gazetar, nuk ia del dot, përkundrazi e bën atë më popullore dhe më të lexuarën në vend. Kjo është një dramë e madhe e tij dhe e Familjes së tij. Kjo është dhe ajo që na bën krenar në raport më këtë burrë të lig që i ka ngelë në derë këtij vendi si një fatkeqësi. Fakti që ne rezistuam dhe ia dolëm të shumëfishohemi para tij, nxiti në treg daljen e mediave të reja opozitare dhe të pavarura, dhe ne sot jo vetëm që nuk ndjehemi vetëm si dy- tri vjet më parë, por jemi komod duke pasur medie të reja jokonformiste me qeverinë dhe kritike ndaj saj, si Respublica, Shqiptarja.com apo forcim të qëndrimeve kritike të shumë medieve të mëdha, si Top Channel, Vizion Plus etj, të cilat për një kohë u tulatën nga frika sa dhe emrin e Shkëlzen Berishës nuk e zinin dot në gojë.

Është pikërisht ky bilanc i thellë humbjeje i Sali Berishës dhe bandës së tij me medien kritike në Shqipëri, që e bën atë sot një njeri të pasigurt dhe plot urrejtje ndaj një gazete, të cilën mendoi se e groposi, por sot e ka më popullore se kurrë para syve të tij. E kuptojmë dëshpërimin e tij dhe ndjehemi mirë. Ne jemi këtu dhe do të jemi gjatë këtu për të përshkruar jo vetëm rënien e tij, por dhe roje për të çuar deri në fund drejtësinë ndaj çdo viktime të tij. Shumë vetë mund ta harrojnë, por ne jemi zëri i ndërgjegjes së atij publiku shqiptar që nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi për viktimat e Gërdecit derisa pronarët realë të Fabrikës së Vdekjes të shkojnë para drejtësisë. Gazeta Tema dhe unë personalisht kam shkruar qysh në mesin e muajit nëntor 2007, pesë muaj para se Gërdeci të shpërthente, se Berisha duhet të jepte llogari nëse dilte se djali i tij merrej me biznes armatimesh… Nuk pritëm të shpërthente Gërdeci për ta lidhur atë dhe Familjen e tij me biznesin vdekjeprurës. Dhe nuk do reshtim për vite të tëra ta përsërisim këtë të vërtetë derisa drejtësia të bëjë punën e saj. Nuk do t’ia harrojmë Sali Berishës ortakërinë e tij me mafien e karburanteve dhe mafien e drogës, me kriminelë që shëtisin në vetura ministrash dhe paguajnë ish- kryebadigardin e tij për të mos u arrestuar, nuk do t’i falim pagatorët e gruas së tij dhe gjobat e së bijës për ata që duan të investojnë në Shqipëri, të cilëve u kërkon 3 për qind për firmën e babait. Nuk do t’ia falim Sali Berishës 21 Janarin, akuzat ndaj nesh si puçistë dhe vrasjen e Aleks Nikës, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Ziver Veizit. Do t’ia përmendim sa të jetë ai gjallë dhe derisa drejtësia të bëjë punën e saj. Kjo është marrëveshja jonë me publikun dhe lexuesit që kemi në krah sot dhe nuk ka lidhje me pazaret që ka bërë dhe mund të bëjë politika në këtë vend. Dhe për këtë bën mirë të trembesh Sali Berisha! Mos e merr kaq lehtë dhe mos më thuaj që je trim. Dhe mos më thuaj që ke dhe familje trimash. Së paku mos ma trego mua, se të kam parë vetëm të skrupullosur si një kukudh pa e ditur ku kishe gruan, djalin, vajzën dhe rojet. Njësoj siç mu duke të hënën në mesditë kur shfryje dufin ndaj gazetës Tema që të paskësh trembur me një editorial ku bënte thirrje të të qëronin si kryeministër! Bën mirë të trembesh! Kur vranë Gadafin, një editorialist i famshëm i New York Times shkroi se vdekja makabër e Gadafit imitoi jetën e tij që shkoi duke vrarë. Edhe ikja jote fatkeqësisht po vjen nga prapaskenat dhe pazaret, duke imituar gjithë jetën tënde në politikë, gjithë tinzaritë, prapaskenat, paburrëritë dhe veset e tua./ Mero Baze



Më të lexuarat