Me sa duket do të duhej një ndërhyrje madhore nga jashtë, që PD të ndahej me traditën 30 vjeçare të njeriut që e themeloi dhe e udhëhoqi.
Pas shpalljes “non grata” nga sekretari i shtetit Blinken, selia blu nuk po gjen kurajon, vullnetin dhe dëshirën për të mbrojtur bilancin e Sali Berishës.
I etiketuar si ‘minues i demokracisë” dhe “shpërdorues i parasë publike”, ish presidenti dhe kryeministri po sheh se askush nga ata të cilëve ai u pasoi partinë, nuk po i del në krah.
Por, fillimi i një faze post berishiste në PD, nuk përkon vetëm me shitjen që partia po i rezervon liderit historik. Ka edhe shumë elementë të tjerë, që tullë pas tulle, po ngrejnë murin e ndarjes me historinë e së shkuarës.
Kështu psh, PD-ja, pati turp ta nxjerrë në publik Berishën gjatë fushatës zgjedhore para 25 prillit prandaj Basha, i kompleksuar nga Rama dhe i këshilluar nga spin doctorsat e tij izraelitë e mbajti atë të fshehur gjatë gjithë garës.
Një element tjetër lidhet me pretendimin e opozitës se i janë vjedhur zgjedhjet, se në 25 prill u bë një masakër elektorale. Por një PD berishiste nuk do të sillej kurë as kaq e squllët, as kaq pasive ndaj këtij fakti.
Nëse fryma berishiste do të ekzistonte, opozita do të qe sot në protesta dhe do kishte përqafuar me kohë rugën radikale, pa u kompleksuar nga ambasadorët, ashtu sikurse bëri gjatë periudhës 1997-2005.
Një fakt tjetër i hendekut të krijuar është se asnjëri nga 4 kandidatët në garë, që nga Lulzim Basha e deri tek Edit Harxhi, që gëzon reputacionin e njeriut më pranë familjes Berisha, nuk ka guxuar ta kritikojë vendimin e fortë të DASh për shpalljen “non grata”.
I pyetur në konferencën për shtyp të së hënës pasdite, Agron Shehaj, duke shpjeguar arsyet e kandidimit të tij tha me plot gojën: “non comment” për këtë patate të nxehtë.
Po si mund të mos ketë qëndrim asnjëri nga kandidatët për të udhëhequr PD në lidhje me trashigiminë e Berishës, të cilën amerikanët po e etiketojnë si të korruptuar dhe anti demkratike? Kjo është një gjë e paperceptueshme.
Një argument tjetër, efektet e të cilit janë më të shtrira në kohë, por që frytet po i jep tani, është ai se asnjëri nga bashkëpunëtorët e Berishës nuk është më në PD. Bode, Topalli, Patozi, Pollo, Imami, Bregu, Ruli, tashmë janë larguar përfundimisht drejt rrugëtimeve të tjera.
Asnjëri nga pjestarët e kabinetit të fundit me të cilin Berisha myblli qeverisjen e vitit 2013 (Basha atëherë ishte në Bashki), nuk ka sot pozitë të fortë në PD.
Dhe kjo zbehje e ngadaltë e rolit të doktorit, që hap pas hapi u bë mbreti i Facebook-ut, por humbi dominimin mbi partinë, po i jep rezultatet se saj.
Sot pro kolonelit të plakur nuk ka kush të shkruajë më, por nëse po ndodh kështu, kjo është pazgjithshmërisht e lidhur edhe me zgjedhjet që vetë Berisha ka bërë.