Edhe 24 orë pas vendimit amerikan kundër Sali Berishës kanë vazhduar deklaratat dhe kundër deklaratat për shpalljen non grata. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se “nuk janë në dijeni të ndonjë padie gjyqësore” ndaj Sekretarit Blinken për shpifje.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se do të ngrejë padi ndaj sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken, duke e akuzuar atë për shpifje në lidhje me vlerësimet e dhëna në ditë më parë ku Berisha u shpall non grata në SHBA.
Berisha u shpreh se ka udhëzuar avokatin e tij në Francë të nisë procedurat për padinë, duke nënvizuar se ajo do të finalizohet brenda dy ditësh.
Ende pa u bërë publik vendimi i Berishës dukej se nga Departamenti i Shtetit kishte nisur një fuashatë.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Matthew Palmer i tha Zërit të Amerikës se përcaktimi i figurave të huaja publikisht nga Sekretari i Shtetit për përfshirje në korrupsion është një prej mjeteve që përdorin Shtetet e Bashkuara për të luftuar korrupsonin.
“Zoti Berisha abuzoi me pozitën e besimit të publikut për të pasuruar veten, për të pasuruar anëtarët e familjes së tij, për të pasuruar aleatët politikë dhe mbështetësit. Shtetet e Bashkuara e marrin çështjen e korrupsionit publik shumë seriozisht”, shtoi zoti Palmer.
Berisha e sfidoi atë duke thënë se ai duhet të faktoj me prova akuzat ndaj tij, para se të bëjë deklarata. “Njerëzisht do i kërkoja Palmer që të paraqes provën më të vogël. Në qoftë se mendon se me deklarata nëpër studio mund të argumentosh atë që mendon, kjo është e pamundur” tha Berisha në një intervistë në Opinion.
Përveç Palmerit, pjesë e fushatës anti Berishë nuk mund të mos bëhej as ambasadorja në Tiranë, Yuri Kim.
Gjatë një prononcimi publik Sali Berisha e quajti mbrojtjen e tij në rrugë gjyqësore, një betejë personale për të mbrojtur dinjitetin e tij. “Beteja për dinjitetin është ajo që ka rëndësi mbi gjithçka” tha ai.
Nërsa ambasadorja amerikane Yuri Kim ka luajtur pikërisht me fjalën dinjitet duke komentuar dënimin me 2 vite burg të ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla.
“Kur TE GJITHE janë të barabartë para ligjit, të GJITHE kanë dinjitet. Ky është dinjiteti i vërtetë” – shkruajti Kim në Twitter.
Në këtë përplasje diplomatiko, mediatiko, politike kanë hyrë edhe personalitete përtej oqeanit.
Janusz Bugajski i Fondacionit Jamestown nuk kupton se pse është përcaktuar pikërisht Sali Berisha dhe pse tani.
“Nuk e kuptoj se përse veçohet një ish-udhëheqës politik, i cili nuk mban më poste. Kjo është diçka që mund të bëhej nga brenda vendit; nëse ekzistojnë prova të forta, ata duhet të kërkojnë një gjyq, një hetim e të tjera, por të ndalosh dikë të udhëtojë, kjo duket si një standard i dyfishtë, diskriminim, apo ato që përmenda. Pra, nuk mendoj se është një ide e mirë dhe koha kur merret ky vendim nuk është e përshtatshme”, i tha ai Zërit të Amerikës.
Ndërsa njëmtjetër personazh tejet i njohur për politikën shqiptare, ish-zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Thomas Countryman, tha se nuk është i befasuar nga vendimi për ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të zotit Berisha.
“Nuk mendoj se audienca në Shqipëri nuk është në dijeni të shkallës së korrupsionit publik që ka prekur politikanë nga parti të shumta, kështu që ekziston një bazë faktike për përcaktimin”, tha ai për Zërin e Amerikës.
Zoti Countryman, i cili si zevendës ndihmës sekretar për Evropën, mbulonte Ballkanin, thotë se megjithëse nuk i di argumentat që përbëjnë bazën për këtë vendim specifik, autoriteti që Kongresi i ka dhënë Departamentit të Shtetit ushtrohet me kujdes.
“Ai ushtrohet vetëm nëse ekziston një bazë e fortë faktike për identifikim korrupsioni të konsiderueshëm. Vihet në përdorim vetëm nëse korrupsioni është i rëndësishëm dhe veçanërisht në ato vende ku korrupsioni është një problem serioz dhe i përhapur. Për fat të keq Shqipëria është në atë kategori”, tha zoti Countryman.
Ish-kryeministri Sali Berisha u shpall non-grata të mërkurën nga Departamenti Amerikan i Shtetit bashkë me familjen e tij. Lajmi u dha nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i cili njoftoi zyrtarisht se Berisha ka minuar demokracinë dhe se gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit është përfshirë në afera korruptive dhe ka pasuruar aleatët e tij politikë. Gruaja Liria, vajza Argita dhe djali, Shkëlzeni janë të prekur nga vendimi DASH, si persona të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA. Vetë Berisha e ka konsideruar të pabazë këtë vendim duke kërkuar që SHBA-të të bëjnë publike çdo provë që kanë kundër tij dhe duke e atakuar sekretarin Blinken në një oroces gjyqësor në Paris.